Juventus-Milan e të dielës në mbrëmje do të jetë një sfidë vendimtare për shumë faktorë. Të dyja skuadrat luajnë një pjesë të mirë të sezonit në këtë sfidë. Pasi u dorëzuan në garën për titull për Juven dhe Milanin tashmë objektivi madhor është kualifikimi në zonën Champions. Andrea Pirlo i cili nuk arriti të fitonte me bardhezinjtë titullin e 10-të kampion radhazi me siguri do të shkarkohet në fund të sezonit, por për momentin drejtuesit e klubit piemontez e kanë lënë të punojë i qetë ish-mesfushorin në mënyrë që të arrijë objektivin minimal për këtë sezon, pikërisht një vend në 4-en e parë të Serie A.
Fitorja ndaj Udineses me përmbysje në minutat e fundit falë dy golave të Cristiano Ronaldos ishte shumë domethënëse për Juven që tashmë do të synojë të marrë maksimumin edhe përballë Milanit me të cilët ka të njëjtën kuotë pikësh aktualisht 69 dhe sëbashku me Atalantën ndajnë mes tyre pozicionet 2, 3 dhe 4 në renditje. Lajmi i mirë për Andrea Pirlon përpara sfidës së të dielës ndaj kuqezinjëve është se janë rikthyer nga dëmtimet respektive dy lojtarë shumë të rëndësishëm të cilët do të jenë të gatshëm për të zbritur në fushë përballë Milanit.
Bëhet fjalë për blerjen më të goditur në merkaton e verës së kaluar nga bardhezinjtë, anësorin Federico Chiesa i cili ka lënë pas problemet fizike dhe do të kërkojë të bëjë të njëjtën paraqitje si në fazën e parë ndaj Milanit kur shënoi dy gola. Chiesa ka munguar në tre ndeshjet e fundit të Juves në kampionat dhe rikthimi i tij është shumë i rëndësishëm ashtu si edhe ai Alvaro Moratës i cili ashtu si Chiesa është stërvitur me skuadrën dhe mund të ketë minutat e tij në këtë supersfidë.