Shahriar Kia është një nga muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri. Si ai, në vendin tonë jetojnë edhe shumë të tjerë, pas një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ka më shumë se 2500 muxhahedinë që po jetojnë këtu në kampin Ashraf dhe nëpër Shqipëri”, thotë z. Shahriar Kia.
Pjesëtarët e opozitës iraniane, ose siç njihen ndryshe muxhahedinët, e shohin vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani si një veprim që do të kontribuojë për paqen jo vetëm në rajon, por edhe në gjithë botën.
“Si fillim, Kasem Suleimani ishte komandanti i forcave terroriste Quds. Ai ishte numri dy në Iran dhe po ndiqte politika terroriste dhe ndërhyrje në shtetet e tjera për këtë regjim. Ai kreu shumë krime, jo vetëm kundër popullit Iranian dhe muxhahedinëve, por edhe kundër popujve të Sirisë, Irakut, Libanit, Jemenit. Gjithë Lindja e Mesme ka vuajtur shumë nga krimet që ai ka kryer. Vetëm muxhahedinët në kampin Ashraf dhe Liberty në Irak janë sulmuar më shumë se 24 herë nga forcat Quds. Rreth 147 nga njerëzit tanë janë vrarë nga forcat e Qassem Soleimanit, dhe më shumë se 1000 persona kanë pësuar lëndime të rënda. Fakt është se ai ishte çelësi pas këtij terrorizmi dhe destabiliteti në rajon. Prandaj, mendoj se ekzekutimi i këtij njeriu nga qeveria amerikane është në përfitim në paqes dhe sigurisë, jo vetëm për rajonin, por për të gjithë botën.
Mendoj se kjo ishte një disfatë dhe goditje shumë e fuqishme kundër regjimit Iranian, sepse humbi një njeri shumë të fuqishëm në aktivitetet dhe operacionet e terrorizmit. Vrasja e Soleimanit do ta bëjë regjimin iranian më të dobët dhe do t’i limitojë operacionet terroriste jashtë Iranit. Pra, mendoj se është në përfitim të paqes dhe sigurisë për njerëzit në Iran dhe nëpër botë”, thotë z. Shahriar Kia.
Pas vrasjes së Sulejmanit, ajatollahu Ali Khamenei premtoi hakmarrje. Por a i kanë parë këto deklarata si kërcënim muxhahedinët që strehohen në kampin e Manzës?
“Ne ndihemi të sigurt, sepse ne jemi alternativa kryesore dhe opozita e regjimit Iranian, që është një regjim djallëzor. Ne kemi qenë gjithnjë nën kërcënim jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha shtetet nëpër botë, përfshirë brenda Iranit. Deri më sot mund të numërohen më shumë se 120 mijë përkrahës dhe anëtarë të MEK, anëtarë të opozitës në Iran të cilët janë ekzekutuar nga ky regjim. Është diçka me të cilën jemi përfshirë prej dekadash, pra ne jemi një armik i regjimit atje, dhe kemi gjithnjë të njëjtat kërcënime”, – shton ai.
Shahriar Kia mendon se Shqipëria nuk ka përse të ndihet e rrezikuar nga deklaratat e Khameneit, dhe se ato nuk duhen marrë seriozisht.
“Si gjithmonë, asgjë e re s’ka ndodhur. Ne kemi qenë nën kërcënim, dhe sigurisht ne jemi shumë aktivë në sigurinë tonë, dhe siguria është shumë e besueshme. Prandaj, mendoj se nuk është një kërcënim i ri dhe për t’u marrë seriozisht kundër nesh apo kundër Shqipërisë. Shqipëria nuk është një rast i jashtëzakonshëm, por nuk është as një rast i veçantë në këtë pikë”, thotë z. Kia.
Burimi: Euronews Albania