Sa herë që flitet për mbrojtësin spanjoll Zherard Pike, menjëherë vëmendja kalon edhe te Shakira, këngëtarja e njohur kolumbiane dhe bashkëshortja e lojtarit. Në Spanjë kanë bërë një krahasim të dhënash për suksesin e Shakirës ne vendin e bashkëshortit dhe ka rezultuar se imazhi i saj nuk është më ai i dikurshmi, të paktën në territorin spanjoll.
Sipas një agjencie konsulence të specializuar për analizën e imazhit të personazheve të njohur, “Personal Media”, para vitit 2010 njerëzit e konsideronin Shakirën një artiste të suksesshme dhe nuk ishin të interesuar për jetën e saj private. Pikërisht në atë vit, kur kënga “Waka Waka” u bë himni i Botërorit të Afrikës së Jugut, Shakira u njoh me mbrojtësin e Barcelonës, i cili u shpall kampion me Spanjën. Më pas nisi rënia e popullaritetit të këngëtares. “Për artistët vlerësohet ana profesionale dhe kontributi që ata japin në shoqëri. Duke hyrë në argumente të tjerë personalë, njerëzit vlerësojnë edhe aspekte të tjera, jo vetëm punën. Në këtë sens, nga 2010-a deri në 2014-ën, popullariteti i Shakirës ka rënë në masën 20%“, – shpjegon agjencia.
Natyrisht që kanë rënë shitjet e cd-ve të këngëtares në Spanjë dhe numri i koncerteve në gjithë botën. Edhe revista “Forbes”, që në vitin 2014 e vendoste Shakirën në vend të 38-të të klasifikimit të grave më të fuqishme në botë, në vitin 2015 e vendoste në vend të 81-të dhe kjo ishte hera e fundit që ajo bënte pjesë në këtë listë. “El Mundo” shkruan se lidhja me futbollistin ka ndikuar negativisht në aspektin profesional të këngëtares, sikur të mos mjaftonin zërat për fundin e historisë së tyre të dashurisë, por që disa herë janë përgënjeshtruar.
Shakira ka humbur popullaritetin në Spanjë, por vazhdon të jetë e famshme në tregun latino-amerikan, falë dueteve me Karlos Vives, Malumën dhe Niki Xhem. Nuk duhet harruar se Shakira në Instagram ka 55.5 milionë ndjekës dhe është e dyta nga yjet latino-amerikanë, pas Xhenifer Lopez, që ka 83 milionë ndjekës.