Dritan Shakohoxha deklaroi në “Top Show” se, duke përjashtuar shumë pak lokale në qendër të Tiranës, kudo ku luhej bixhoz deri në 31 dhjetor vazhdon të luhet edhe sot.
“Lokalet ku viheshin baste vetëm sa kanë hequr tabelat dhe vazhdojnë punën si më parë. Luhet njësoj si më parë. Kanë hyrë kompani ruse të fuqishme në tregun shqiptar. Kanë bërë faqet e tyre në shqip”, deklaroi Shakohoxha.
Sipas një vëzhgimi të Top Channel rezulton se faqet e internetit të të paktën dy kompanive shqiptare të basteve vijojnë të jenë aktive, e kur klikohen të transferojnë automatikisht në faqet e tyre në Kosovë, ku edhe operojnë.
E njëjta gjë vlen edhe për faqet e njohura të huaja që ofrojnë shërbim për baste sportive dhe lojëra elektronike fati, të cilat vijojnë të jenë funksionale.
Disa prej tyre janë të bllokuara vetëm kur tentohet të aksesohen në versionin mobile. Ligji për ndalimin e lojërave të fatit, i cili hyri në fuqi më 1 janar, me sa duket ka dhënë efektet e para duke hequr kumarin që kishte zaptuar çdo lagje, por jo atë virtual.
Sipas ekspertëve, me gjithë pengesat që mund të vendosin autoritetet, bllokimi i faqeve të huaja të basteve është i pamundur, për shkak të mundësive të pafundme që ofron teknologjia.