Politika “Shantazho-pazar”, ironia e Patozit: Humbëm zgjedhjet, por fituam KQZ-në

“Shantazho-pazar”, ironia e Patozit: Humbëm zgjedhjet, por fituam KQZ-në

Ish-deputeti demokrat Astrit Patozi ka reaguar pas tërheqjes së kryeministrit Edi Rama nga çështja e shkarkimit të kreut të KQZ-së.

Patozi ndërsa i vë emrin ‘shantazho-Pazar i neveritshëm politik’ gjithë asaj që po ndodh thotë se PD humbi zgjedhjet por ma fitoi kreun e KQZ-së.

STATUSI I PATOZIT

HUMBËM ZGJEDHJET, POR FITUAM KQZ-në

Sot mund të thuhet se Lulzim Basha arriti më në fund fitoren e parë politike, që kur u caktua kryetar i Partisë Demokratike, në vitin 2013, pasi e detyroi ose e bindi Edi Ramën të heqë dorë nga shkarkimi i kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri.

Debati mes tyre u zhvillua në sfondin e përmbytjeve, që kanë shkaktuar reshjet e dendura në shumë zona të vendit, por kjo nuk e pengoi kryeministrin që t’i kujtonte kundërshtarit të vet se marrëveshja e 18 majit mbetet ende në fuqi.

Edi Rama tha në tërheqje e sipër se, nëse marrëveshja do të konsiderohej e vdekur, Klement Zguri do të kishte qenë dëshmori i parë i saj.

Kryetari aktual i KQZ, i vetmi i pafajshëm në këtë shantazho-pazar të neveritshëm politik, me shumë gjasa do ta ruajë pozicionin e tij në krye të institucionit që administron zgjedhjet në Shqipëri.

Por ky duket të jetë një ngushëllim fare i vogël, pasi Partia Demokratike për shkak të marrëveshjes së Lulzim Bashës doli e shkatërruar nga beteja e 25 qershorit.

Dhe në rast se do të bënim një bilanc politik të opozitës, që nga epoka e çadrës së lirisë e deri më sot, mund të thuhet shkurt se kemi humbur zgjedhjet, por kemi fituar kryetarin e KQZ-së.

Ndërkohë, nuk është fare e vështirë të kuptohet se Edi Ramës nuk i vlen shumë për dëshmor Klementi, sa kohë që kësaj pune i ka dalë zot vetë Lulzim Basha.