Granit Xhaka në telashe serioze tek Arsenali. Shqiptari i “Topçinjve” me shumë mundësi do të humbë shiritin e kapitenit për shkak të përplasjes së tij me tifozerinë e skuadrës londineze.
Gjatë ndeshjes së fundjavës me Crystal Palace në “Emirates” 27-vjeçari iu kundërpërgjigj me gjeste dhe me sharjen “Fuck off” tifozëve që e kishin kontestuar më vërshëllima dhe me britmat “buuu” në momentin e zëvendësimit.
Trajneri Unai Emery do të zhvillojë bisedime me drejtuesit e Arsenalit përpara se të vendosë nëse Granit Xhaka do të mbetet ose jo kapiteni i skuadrës.
Pas barazimit 2-2 kundër Crystal Palace, Emery refuzoi të garantojë që Xhaka do të vazhdonte ta mbante shiritin, teksa theksoi se veprimi i tij ishte i gabuar.
Kur u pyet direkt nëse Xhaka do të mbetej kapiten, Emery u përgjigj: “Nuk është momenti të flas për këtë, sepse, së pari, dua të flas me të dhe me klubin. Ne duhet të qëndrojmë të qetë, por, me të vërtetë, ai gaboi.”
Ndërkombëtari i Zvicrës është një nga futbollistët më të kontestuar në “Emirates”, çka krijon një ndarje më te thellë mes tij dhe tifozëve besnike të klubit.
Emery nuk pranoi të kritikonte tifozët e Arsenalit për duartrokitjet sarkastike dhe për “buuu”-të ndaj kapitenit: “Ne po punojmë shumë që të luajmë pa presion. Mendjet tona duhet të jenë të qarta kur luajmë nën presion. Në një moment të vështirë, zemra jonë mund të jetë e nxehtë, por mendjet tona duhet të jenë të zgjuara. Ne do të flasim për këtë, sepse reagimi ishte i gabuar. Ne jemi këtu sepse kemi mbështetës. Ne jemi punëtorët e klubit dhe luajmë për ata. Duhet të kemi shumë respekt kur na duartrokasin, por edhe kur na kritikojnë”.