Bota SHBA/ 17-vjeçari vdes nga koronavirusi, spitali nuk e pranoi se nuk kishte...

SHBA/ 17-vjeçari vdes nga koronavirusi, spitali nuk e pranoi se nuk kishte sigurim shëndetësor

Një 17-vjeçar nga Lancaster, Kalifornia, të mërkurën ka ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit.

Atij, iu refuzua shtrimi në spital, pasi nuk kishte një sigurim të shtrenjtë shëndetësor.

Lajmin e vdekjes së të riut si pasojë e Covid-19 e dha kryetari i bashkisë së Lancaster, Rex Parris, përmes një video në YouTube.

Parris tha se i riu ndërroi jetë ditën e mërkurë si pasojë e koronavirusit, por deklaroi se ai nuk kishte pasur sëmundje të tjera.

Përmes kësaj video, kryebashkiaku iu drejtohet edhe qytetarëve të tjerë, ndërsa iu bën thirrje që ta marrin seriozisht këtë pandemi globale dhe të respektojnë me rigorozitet masat e marra nga autoritetet, si dhe të ruajnë distancën fizike.

Ai konfirmoi se 17-vjeçari nuk kishte sigurim shëndetësor dhe prandaj nuk e mori ndihmën e nevojshme mjekësore kur ai mbërriti me urgjencë në spitalin e zonës.

Stafi mjekësor i kishte kërkuar të riut të shkonte në një spital publik.

Emergjenca si pasojë e krizës së krijuar nga koronavirusi po zbulon të gjitha defektet apo kufizimet e sistemit shëndetësor në SHBA.

Pasi, shumë shtetas amerikanë nuk kanë mundësi të paguajnë kujdesin shëndetësor.

Shifrat tregojnë se rreth 27.5 milionë amerikanë nuk janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore, ndërsa në SHBA janë konfirmuar të paktën 103 mijë e 942 raste me Covid-19, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.