“Qeveria amerikane ka mobilizuar me shpejtësi burime të pashembullta për t’iu përgjigjur pandemisë COVID-19 brenda dhe jashtë vendit dhe jam i lumtur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vënë në dispozicion rreth 274 milionë dollarë fonde për nevoja urgjente shëndetësore dhe humanitare“, njoftoi sot sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
”Të 274 milionë dollarët do të ofrojnë burime financiare për 64 vendet më të rrezikuara në botë për të luftuar më mirë pandeminë dhe për t’i mundësuar Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët të ndihmojë disa nga popullsitë më të rrezikuara në botë. Këto premtime të reja përfshijnë afro 100 milionë dollarë ndihmë shëndetësore emergjente”, shtoi ai.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime për të luftuar pandeminë COVID-19. Ky financim është një investim fillestar… Përveç investimeve të sotme, më 6 mars, presidenti Trump nënshkroi Ligjin e Përgatitjes dhe Përgjigjes së Plotësimit për Koronavirusin, i cili përfshin 1,3 miliardë dollarë në ndihmë shtesë për vendet anembanë botës, që t’i përgjigjen kësaj pandemie.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës po udhëheqin dhe do të vazhdojnë të udhëheqin përpjekjet për të luftuar këtë patogjen të rrezikshëm dhe kërcënimin e tij për shëndetin dhe sigurinë globale”, përfundon deklarata e DASH.