Forcat ajrore amerikane kanë bombarduar me 40 tonë bomba të komanduara me laser mbi një ishull të “pushtuar” ISIS në Irak. Avionët F-15 dhe F-35 bombarduan ishullin Qanus, që ndodhet në mes të lumit Tigër në Irakun qendror, për të shkatërruar vendet ku fshiheshin pjesëtarët e organizatës terroriste.
Për të pastruar zonën, më pas u dërguan në ishull trupat e Batalionit të Forcave Speciale irakiane. Ishulli Qanus ishte etiketuar prej kohësh si një bazë e përkohshme e luftëtarëve të ISIS që shkonin në Irak nga Siria. Video dramatike e bombardimit tregon se si ishulli është ndezur nga flakët e bombave, që ranë thuajse në të gjithë territorin. “Me këtë operacion i mohuam mundësinë pjesëtarëve të ISIS që të fshihen në ishull”, tha Gjeneral Major Eric T. Hill, komandant i operacionit të përbashkët me forcat irakiane.
ISIS praktikisht mori në kontroll territore të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014, duke shpallur edhe një Kalifat në zonë. Por në vitin 2017, autoritetet irakiane shpallën fitoren kundër grupimit terrorist, ndërsa në Siri, ata humbën qytetin e fundit, Baghouz, në mars të këtij viti. Megjithatë, grupimi ekziston akoma në formën e trupave guerile në të dy shtetet, duke kryer sulme me bomba dhe plaçkitje në qytete dhe baza ushtarake.
Sipas një raporti që iu dorëzua Organizatës së Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar, ISIS ka në radhët e veta ende 30 000 luftëtarë dhe një pasuri prej 300 milionë dollarësh.