Bota SHBA: Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit të presidentit për imigracionin

SHBA: Apeli lë në fuqi pezullimin e urdhrit të presidentit për imigracionin

Gjykta e apelit në San Francisco vendosi të lerë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, i cili pezullonte përkohësisht urdhrin e presidentit Trump për të mos lejuar udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Fati i urdhërit presidencial pritet të vendoset përfundimisht nga Gjykata e Lartë.

Javën e kaluar gjykatësi James Robart vendosi të pezullojë përkohësisht urdhërin ekzekutiv të presidentit. Presidenti Trump u kundërpërgjigj me nervozizëm në Twitter, duke e cilësuar gjykatësin Robart “i ashtuquajtur gjykatës”, i cili “mori një vendim qesharak” që do të lejojë “shumë persona të këqinj dhe të rrezikshëm të hyjnë në vendin tonë”.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë argumentoi para gjyktës së apelit se urdhri ekzekutiv ishte brenda kompetencave që Kongresi dhe Kushtetuta i kanë dhënë presidentit.

Çështja pritet të kalojë në Gjykatën e Lartë, e cila ka një vend bosh dhe kandidati i emëruar nga presidenti së fundmi për ta plotësuar atë, nuk ka të ngjarë të konfirmohet nga Senati në kohë për të votuar për këtë çështje. Gjykata e Lartë aktualisht është me 8 anëtarë, katër me prirje konservatore dhe 4 me prirje liberale.

Urdhri ekzekutiv nga ana tjetër ishte i vlefshëm vetëm për 90 ditë dhe ekziston mundësia që afati të skadojë para se Gjykata e Lartë të arrijë të diskutojë për të.