Kryesore SHBA-BE dhe Britani dënojnë me forcë dhunën, bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje

SHBA-BE dhe Britani dënojnë me forcë dhunën, bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me “forcë dhunën dhe shkatërrimin e ndodhur gjatë protestave të sotme në Tiranë”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane në Tiranë thotë se “mbështesim të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht, por dëmtimi i pronës publike dhe dhuna nuk janë të pranueshme. Nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje më të mirë dhe të rivendosin qetësinë”.

Ambasada e SHBA i bën thirrje të gjitha partive politike që t’i denoncojnë këto akte dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për t’u siguruar që situata të shndërrohet në paqësore dhe konstruktive.

Edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka bërë thirrje për përmbajtje dhe ka dënuar dhunën në protestë.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje të menjëhershme. E drejta e qytetarëve për t’u shprehur përmes protestës paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane”.

Megjithatë, shton delegacioni i BE, “dëmtimi i pronës publike dhe përdorimi i dhunës nuk janë të pranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të bëjnë çmos për të shmangur dhunën dhe çrregullimin e mëtejshëm”.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri ka komentuar protestën e opozitës.

Ai i ka bërë thirrje që të respektohet shteti ligjor.

Në një postim në Twitter, ambasadori Duncan Norman shkruan ndër të tjera se vendi i tij mbështet vetëm tubimet paqësore.

“Mbështesim të gjithë ata nga të gjitha palët të cilët bëjnë thirrje për demonstrata paqësore. Kjo është një kohë për të respektuar shtetin ligjor”, shprehet Norman.