Një video e shfaqur në rrjete shoqërore, tregon se si 300 emigrantë latino-amerikanë, që kalojnë kufirin që nga Meksika për në SHBA, janë ndaluar nga një grup civilësh të armatosur që vetëquhen “Patriotët e Bashkuar Kushtetues”.
Zyrtarët dhe grupet e të drejtave civile e kanë qortuar veprimin e grupit civil, që po vepron në një kohë që kalimi i emigrantëve përtej kufirit ka arritur në nivelin më të lartë, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë amerikane për t’i ndaluar.
Para se të vijnë agjentët kufitarë, në video dëgjohet një grua që u thotë civilëve të mos e kthejnë armën nga familjet me fëmijë.
Zëdhënësi i kësaj milicie, Xhim Benvi, tha se ata i mbajnë emigrantët derisa të vijnë agjentët, dhe se agjentët kufitarë nuk u kanë thënë asnjëherë deri tani që ta ndalojnë punën që po bëjnë.