Shtetet e Bashkuara janë fituesit e Kampionatit Botëror të Futbollit për Femra edhe për këtë vit. Skuadra amerikane mundi Holandën në ndeshjen finale që u zhvillua në Lion të Francës, me rezultatin 2-0, duke siguruar titullin kampion për të katërtën herë.
Amerikanët mundën katër skuadra të tjera europiane – Suedinë, Spanjën, Francën dhe Anglinë – në rrugën e tyre drejt finales, dhe dominuan të dielën duke fituar ndaj kampiones së Europës, Holandës.
Analistët e futbollit thonë se skuadra kombëtare e femrave të Shteteve të Bashkuara hyri në ndeshje si favorite për titullin kampion, për shkak të përgatitjes dhe përvojës së tyre më të madhe se sa skuadra holandeze.
Një nga lojtaret më të mira amerikane, Megan Rapinoe, që i hapi rrugën për fitore skuadrës amerikane në gjysmëfinale ndaj skuadrës britanike, shënoi golin e parë për amerikanët në një gjuajtje me penallti në minutën e 61-të. Pastaj lojtarja Rose Lavelle shënoi një tjetër gol në minutën e 69, duke vulosur fitoren e skuadrës amerikane.
Edhe pse shënoi suksesi në turneun botëror, ekipi i futbollit i femrave amerikane po ngre aktpadi ndaj federatës amerikane të futbollit për pagë të pabarabartë me anëtarët e ekipit kombëtar të meshkujve, të cilët kanë qenë shumë më pak të suksesshëm në këtë sport. Pabarazia në paga është e theksuar, paga mesatare bazë e futbollisteve femra është afërsisht 30,000 dollarë në vit më pak sesa homologët e tyre meshkuj. Lojtaret ranë dakord të dorëzojnë padinë e tyre në arbitrazh pas përfundimit të turneut.
Federata e futbollit i dha skuadrës së meshkujve një bonus prej 5.4 milionë dollarësh pasi humbi në raundin e 16-të në Kupën Botërore të vitit 2014, ndërsa ekipit të grave i dha 1.7 milionë dollarë kur fitoi në vitin 2015.
Lojtarja Rapinoe gjithashtu ka polemizuar me Presidentin Donald Trump, duke thënë se si shenjë e kundërshtimit ndaj presidencës së tij, ajo nuk do të pranonte një ftesë për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë, nëse amerikanët do të fitonin titullin.