Bota SHBA heq sanksionet ndaj Turqisë

SHBA heq sanksionet ndaj Turqisë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë me dije se ka hequr të gjitha sanksionet që i kishte vendosur Turqisë me rastin e nisjes së operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë.

“Kam urdhëruar Departamentin e Thesarit për heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë të vendosura më 14 tetor”, tha Trump duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me armëpushimin mes kurdëve dhe Turqisë.

Trump tha se armëpushimi në kufirin Siri-Turqi është duke u ruajtur dhe është duke u bërë permanent.

“Zona e sigurt prej 32 kilometrash tashmë është formuar”, deklaroi presidenti amerikan.

Pas deklaratës së Trump-it, Departamenti i Thesarit njoftoi se zyrtarisht të gjitha sanksionet janë hequr.

Ndryshe, më 14 tetor, Trump vendosi sanksione ndaj Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe Ministrisë së Energjisë dhe Burimeve Natyrore, si dhe ndaj ministrave përkatës Hulusi Akar dhe Fatih Dönmez, si dhe ministrit të Brendshëm Süleyman Soylu.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.