Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan ka konfirmuar se kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Moskës mbeten të hapura pavarësisht luftës në Ukrainë. Sullivan theksoi se ishte në interesin e SHBA-së që të ruanin kontaktet me Kremlinin. Por shtoi se zyrtarët e kanë të qartë se me kë kanë të bëjnë.
Kjo deklaratë e tij vjen pasi Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të mohojë raportet se Sullivan ka udhëhequr bisedimet me Rusinë për të parandaluar një përshkallëzim bërthamor në Ukrainë.
Prestigjozia “Wall Street Journal” ka raportuar se Sullivan ka zhvilluar diskutime konfidenciale me homologun e tij rus, sekretarin e Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev, dhe ndihmësin e lartë të Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, gjatë disa muajve të fundit.
Burime të sigurta i thanë “Wall Street Journal” se zyrtarët kishin diskutuar në lidhje me mënyrat për t’u mbrojtur nga rreziku i përshkallëzimit bërthamor në luftën në Ukrainë, por nuk ishin angazhuar në negociata me qëllim që t’i japin fund konfliktit.
Muajin e kaluar, Sullivan tha se çdo përdorim i armëve bërthamore do të kishte “pasoja katastrofike për Rusinë”. Ndërkohë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karin Jean-Pierre tha dje se Shtetet e Bashkuara e kanë të drejtën për të zhvilluar bisedime me Rusinë.
Javën e kaluar, Washington Post raportoi se zyrtarë të lartë amerikanë po i kërkonin Kievit të sinjalizonte një hapje për të zhvilluar negociata me Rusinë dhe të hiqte dorë nga refuzimi i tyre publik për të diskutuar një fund të luftës ndërsa Presidenti Vladimir Putin mbetej në pushtet.
Shqetësimet se Rusia mund të përdorë armët bërthamore, janë rritur. Kjo, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur 4 rajone të Ukrainës lindore dhe jugore të cilat i aneksoi ilegalisht.