Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha sot se presidenti rus Vladimir Putin “kurrë nuk e kishte imagjinuar që e gjithë bota do të bashkohej me kaq shpejtësi dhe siguri pas Ukrainës”.
Këto komente ai i bëri në Gjermani gjatë një takimi me zyrtarë të më shumë se 40 vendeve për të koordinuar më tej ndihmat e sigurisë për Ukrainën.
Vendimin e Gjermanisë për të furnizuar me 50 tanke anti-ajrore Ukrainën, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin e konsideron një “lëvizje e rëndësishme” pasi sipas tij, këto sisteme do të ofrojnë aftësi reale mbrojtjeje për Ukrainën.
Sa i përket shpërthimeve në rajonin separatist të Transnistria në Moldavi, Austin tha se SHBA është ende duke shqyrtuar shkakun e tyre, por theksoi se Uashingtoni nuk dëshiron një zgjerim të konfliktit.
Një ditë më parë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se ekzistonte një rrezik serioz e real për një Luftë të tretë Botërore, ndonëse tha se ky rrezik nuk duhet rritur artificialisht.
Austin tha se SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar do të bëjë gjithçka ka në dorë për t’u siguruar që situata të mos dalë jashtë kontrollit.
Por ai kritikoi retorikën e armëve bërthamore dhe tha se ishte e rrezikshme dhe nuk e ndihmonte situatën.
“Askush nuk do të shohë një luftë bërthamore, askush nuk e fiton dot. Ka gjithmonë një mundësi që gjërat mund të ndodhin, por është e gabuar të spekulosh për përdorimin e armëve bërthamore”.
Austin i bëri deklaratat gjatë një konference për shtyp, pas një takimi të SHBA-së dhe aleatëve të saj në një bazë ajrore në Gjermani. Ai tha se grupi do të takohet një herë në muaj për të diskutuar nevojat e Ukrainës për t’u mbrojtur nga trupat ruse.