Shtetet e Bashkuara kanë sqaruar deklaratën e presidentit Donald Trump lidhur me votimin në OKB për Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, duke përsëritur deklaratën e Trump theksoi se vota në OKB nuk do të jetë i vetmi faktor që qeveria amerikane do të marrë parasysh në marrëdhënie me shtetet e tjera.
“Dua të përsëris atë që Presidenti Trump ka thënë dje dhe se votimi nuk është i vetmi faktor që administrata do të marrë në konsideratë në lidhje marrëdhëniet tona të jashtme me vendet që kanë zgjedhur të votojnë në një mënyrë ose në tjetrën”, deklaroi Heather Nauert.
Reagimi erdhi pasi ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, pati deklaruar se SHBA nuk do ta harronte këtë votë.
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, organizmi më i madh në botë. Do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, deklaroi ambasadorja.