Kryesore Veprimi amatoresk i presidentit shqiptar për votën në OKB

Veprimi amatoresk i presidentit shqiptar për votën në OKB

Pasditen e sotme zyra për mediat e Presidentit të Republikës njoftoi për një letër që Ilir Meta i ka dërguar presidentit amerikan, Donald Trump.

Në emër të shqiptarëve ai kërkon ndjesë për votën në OKB.

Meta shkruan se “vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-ve në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”.

Ky është rasti i parë që Presidenti i Republikës në marrëdhënie ndërkombëtare del kundër qeverisë së tij. Nuk e ka bërë Sali Berisha President, nuk e ka bërë as Rexhep Mejdani edhe pse ka qenë në përplasje të fortë me Nanon, Metën apo dhe Majkon.

Nuk e ka bërë as Alfred Moisiu që nuk shikohej dot me sy as nga Nano dhe as nga Berisha.

Po ashtu nuk e ka bërë Bamir Topi dhe aq më pak Bujar Nishani dhe pse kryeministër kishte Edi Ramën.

Letra e Metës drejtuar Trumpit është një akt emocional, negativ, i paprecedent.

Ne nuk jemi Republikë Presidenciale ndaj kjo letër është skandaloze.

Kjo letër Metës do t’i kushtojë shumë në ndërgjegjen e tij pasi në asnjë rast ai nuk rregullon asgjë në raport me SHBA sepse vetë SHBA nuk pati një reagim negativ për këtë.

Lufta politike e brendshme duket se e ka verbuar presidentin i cili tashmë nga një politikan rrace siç ka qejf të etiketohet po kthehet në një politikan qesharak./AE