Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale për Europën (SOCEUR) do të ngrejë një shtab të saj në Shqipëri.
Shtabi i Forcave të Operacioneve Speciale do të vendoset në vendin tonë për të siguruar ndërveprueshmëri më të madhe me Shqipërinë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.
Në një reagim në Twitter, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cilëson këtë një zhvillim domethënëse për vitin e ri për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe të rëndësishme për sigurinë e rajonit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përmes një reagimi në Facebook, e cilëson këtë zhvillim si shumë pozitiv për rritjen e sigurisë në vendin tonë.
“Sot kemi marrë një lajm fantastik për të cilin kemi disa kohë që punojmë. Është shprehje bashkëpunimi dhe besimi shumë të lartë. Dua të falënderoj publikisht ambasadoren Yuri Kim për lehtësimin që i ka bërë këtij ndërveprimi”, tha Rama.
Në deklaratën e SOCEUR thuhet se kjo vendndodhje “redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”.
“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë.
Sipas tij nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal.
#BREAKING:
U.S. SOCEUR has made the decision to locate a forward-based SOF headquarters, on a rotational basis, in Albania!
Click here for the full #news release:
🇺🇸: https://t.co/tZEXzILrLC
🇦🇱: https://t.co/476FR2HyTs#SOFinEurope@FA_Shqiptare @MinMbrojtjes @USEmbassyTirana pic.twitter.com/3G27dQvvW6— US Spec Ops Europe (@US_SOCEUR) January 6, 2022
SOCEUR bazën e saj në Evropë e ka në Patch Barrack, afër Shtutgardit në Gjermani. Funksioni i SOCEUR është që të planifikojë operacione speciale si përpjekje e SHBA për të rritur kapacitetin ushtarak dhe sigurinë në Evropë si kundërpërgjigj ndaj kërcënimeve të SHBA dhe partnerëve evropianë.