Zyrtarë të lartë të shëndetësisë paralajmëruan amerikanët të dielën se do të përballen me një numër tronditës vdekjesh javën e ardhshme, ndërsa pandemia vazhdon të godasë rëndë vendin.
“Kjo do të jetë java më e vështirë dhe më e trishtuar e jetës për shumë amerikanë. Do të jetë Pearl Harbour, 11 shtatori i kohës sonë, veçse nuk do të jetë i lokalizuar në një vend. Do të ndodhë në gjithë vendin”, tha zyrtari më i lartë i shëndetësisë i vendit, Jerome Adams, në një intervistë me televizionin “Fox News”.
Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, foli pa doreza në emisionin “Face the Nation” të televizionit CBS:
“Kjo do të jetë një javë e keqe. Do të jetë shokuese për disa”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 9,100 vdekje dhe mbi 324 mijë raste të konfirmuara me koronavirus, dhe zyrtarët kanë parashikuar se numri total i të vdekurve mund të jetë nga 100 mijë deri në 240 mijë.
Modelet e ecurisë së virusit tregojnë se numri i të vdekurve mund të rritet në masë të konsiderueshme gjatë 7-9 ditëve të ardhshme, pasi ritmi i vdekjeve e ndjek atë të rasteve të konfirmuara me një ose dy javë distancë.
“Nuk mund të them që e kemi situatën nën kontroll. Kemi vështirësi ta vëmë nën kontroll”, tha zoti Fauci, megjithë urdhrat në 41 shtete, që përbëjnë 90% të vendit dhe popullatë prej 327 milionë vetësh, për të ndenjur në shtëpi, përveçse për nevoja të domosdoshme.
Megjithë rritjen e pritshme të numrit të viktimave në ditët në vazhdim, dr. Fauci tha se shpreson që pas 8-9 ditësh të shihet një ndalje dhe më pas rënie e rasteve.
“Po përpiqemi ta vëmë situatën shumë më tepër nën kontroll. Është e qartë se jemi më mirë nga sa ishim”, tha ai, duke shtuar se ka po bëhen më shumë testime, janë dhënë më shumë urdhra për të ndenjur në shtëpi, dhe po ndiqen më mirë kontaktet e atyre që kanë rezultuar pozitivë.
Megjithatë Presidenti Donald Trump, nuk ka pranuar të lëshojë një urdhër kombëtar për të qëndruar në shtëpi, duke thënë se do ta lërë në dorën e guvernatorëve të nëntë shteteve që nuk kanë lëshuar një urdhër të tillë, të vendosin nëse do ta bëjnë një gjë të tillë ose jo.
Dr. Fauci tha se banorët e atyre shteteve po “vendosin veten në rrezik”, duke mos u vetëizoluar, megjithëse guvernatorët e tyre nuk i kanë nxjerrë ato urdhra.
“Ky virus nuk diskriminon në bazë të vendbanimit në një komunitet të vogël ose qytet të madh”, tha Dr. Fauci./VOA