Ambasada amerikane përsërit, edhe një herë, mbështetjen ndaj reformës në drejtësi. Përmes një deklarate të shkurtër në Twitter, përfaqësia diplomatike amerikane, në Tiranë, shpreh monitorimin që po i bën, veçanërisht, procesit të vetting-ut.
“Shtetet e Bashkuara janë angazhuar që të shohin procesin e vetting-ut në Shqipëri të vazhdojë me profesionalizëm dhe përkushtim. Me dy vendet tona në bordin e ONM-së – një për Departamentin e Shtetit dhe një për Departamentin e Drejtësisë – për monitorimin e procesit të vetting-ut dhe nëpërmjet vëzhguesit tonë ndërkombëtar, ne sigurohemi që organet e vetting-ut të respektojnë ligjin”, thuhet në deklaratën e SHBA.
Një ditë më parë, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, përgëzoi punën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe i bëri thirrje prokurorëve e gjyqtarëve që të aplikojnë për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese.