Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportojnë se në 24 orët e fundit 1015 persona humbën jetën si pasojë e pandemisë së koronavirusit, niveli më i ulët i vdekjeve ky prej një muaji.
Deri tani në Shtetet e Bashkuara kanë humbur betejën 68,920 pacientë dhe sipas parashikimeve bilanci do të thellohet më tej dhe do t’i kalojë shifrat e 100 mijë.
Në SHBA janë konfirmuar 1,180,332 persona të infektuar me koronavirus, 5 herë më shumë se rastet e Spanjës dhe 14 herë më shumë se rastet e Kinës, aty ku dhe pandemia e pati origjinën në fund të vitit 2019.
“New York Times” raportoi një ditë më parë se ka zbuluar një dokument të brendshëm të qeverisë amerikane ku thuhet se rastet e reja dhe viktimat nga koronavirusi do të vijojnë të rriten nga dita në ditë deri më 1 qershor, ku mendohet të ketë 3000 viktima çdo ditë.