Bota “Vdekshmëria nga Covid-19 në Gjermani 10 herë më e ulët se shifrat...

“Vdekshmëria nga Covid-19 në Gjermani 10 herë më e ulët se shifrat aktuale”

Vdekshmëria nga koronavirusi në Gjermani është gati 10 herë më e ulët nga shifrat aktuale zyrtare, pretendojnë ekspertët nga Universiteti i Bonit, të cilët vlerësojnë se rreth 1.8 milionë gjermanë janë infektuar deri tani me Covid-19.

Shifrat zyrtare në Gjermani konfirmojnë se 165 mijë persona janë prekur nga koronavirusi, nga të cilët kanë ndërruar jetë 6800, me një vdekshmëri prej rreth 4%.

Shkalla e vdekshmërisë në Gjermani është më e ulët se shumë vende të tjera evropiane, ku mjafton të përmendim Britaninë e Madhe, ku është rreth 15%.

Por, ekspertët e Universitetit të Bonit, të cilët kanë analizuar mostrat e gjakut të banorëve të qytetit të vogël të Gangelt-it, ku shpërtheu koronavirusi, pretendojnë se vdekshmëria është rreth 0.37%. Rezultatet kanë treguar se rreth 15% e popullsisë së këtij qyteti janë infektuar me Covid-19, nga të cilët rreth 20% nuk kishin shfaqur asnjë simptomë.

Publikimi i këtij studimi vjen kur tashmë Gjermania vijon me lehtësimin e masave, duke hapur edhe berberët dhe parukierët, dyqanet, shkollat dhe institucionet fetare.

Një ditë më parë, në Gjermani u konfirmuan vetëm 679 raste të reja, numri më i ulët që prej 11 marsit.