Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara Sali Berishës dhe familjarëve të tij, bashkëshortes Liri Berisha, djalit Shkëlzen dhe vajzës Argita Berisha Malltezi.
Njoftimin e dha Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken. “Veprimet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Po i ndaloj publikisht hyrjen në SHBA Berishës dhe familjarëve të tij. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerin tonë, Shqipërinë”, shkroi Blinken në Twitter.
“I përfshirë në korrupsion të rëndësishëm”
Në deklaratën e tij, Blinken thotë se Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët politikë si dhe anëtarët e familjes.
Në një deklaratë të publikuar nga Departamenti i Shtetit, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken thotë:
“Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm.
Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.”
“Për më tepër, – thuhet në deklaratë, – retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë.”
“Ky përcaktim, thuhet në deklaratë, – bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021. Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën, Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara”.
“Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë kompetenca si kjo për të nxitur kërkesën e llogarisë ndaj aktorëve të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht”, thotë në deklaratën e tij Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.