Politika SHBA sërish për Shqipërinë në BE: Kërkon që Bullgaria të heqë veton

SHBA sërish për Shqipërinë në BE: Kërkon që Bullgaria të heqë veton

Derek Chollet, këshilltari special i Sekretarit Amerikan ka konfirmuar atë që zyrtarë të lartë të administratës amerikane përfshirë Presidentin Biden kanë theksuar se duan ta shohin së shpejti Shqipërinë në BE.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Në Bullgari patëm së fundmi zgjedhjet parlamentare. Ekziston mundësia që të arrihet progres ndaj ne do të vijojmë të punojmë në këtë drejtim për t’i bindur ata. Ne nuk jemi pjesë e BE-së, por ju themi liderëve europianë fjalën tonë për këtë çështje”.

Gjatë takimeve me politikanë të Bosnje Hercegovinës, Chollet iu rikujtoi politikanëve ballkanas se Blinken e njeh shumë mirë rajonin.

“Sekretari i Shtetit Blinken, shefi im, është dikush që ka shërbyer në administratën e Klintonit si këshilltar i lartë për Europën në Shtëpinë e Bardhë, për marrëveshjen e  Dejtonit dhe gjatë luftës në Kosovë.  Pra, ai është një ekspert i Ballkanit, dikush që i ndjek me shumë kujdes zhvillimet në këtë rajon. Ne shohim shanse për një integrim më të madh ekonomik rajonal. Ka plane të ndryshme, ka potencial në Ballkanin Perëndimor për rritje dhe zhvillim ekonomik, për modernizim të mëtejshëm”.

Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët evropianë mund ti ndihmojnë shtetet e rajonit qe të kuptojë ketë potencial.

Sipas Chollet rajoni ka shumë sfida reale që të përmirësohet jeta e qytetarëve të thjeshtë.

“Ne jua kemi bërë të qartë liderëve të rajonit se cilat janë sfidat reale. Do të jetë e vështirë për qytetarët e këtij rajoni të zhvillohen nëse korrupsioni mbetet kaq i përhapur, nëse ata nuk i besojnë sundimit të ligjit, rezultateve të zgjedhjeve dhe nëse vijojnë problemet me lirinë e medias. Ne jemi shumë të fokusuar në zgjidhjen e këtyre problemeve edhe në këtë pjesë të botës. Unë mendoj se udhëheqësit duhet të pyesin veten pse kaq shumë të rinj po largohen nga vendi. Ata duhet të kenë një të ardhme pozitive”.

Derek Chollet ka udhëtuar nga Sarajeva për në Bruksel, ku në takime me zyrtarë europiane dhe të NATO-s ka diskutuar për mënyrat se si SHBA dhe BE–ja mund të punojmë së bashku për stabilitetin e rajonit.