Sport Do të marrë rrogën më të ulët të mundshme, por Dani Alves...

Do të marrë rrogën më të ulët të mundshme, por Dani Alves ka klauzolë marramendëse te Barcelona

Përtej euforisë dhe kujtimeve të bukura, blerja e Daniel Alves nga Barcelona ka ngritur dyshime për mënyrën praktike sesi mbrojtësi veteran do të arrijë të ndihmojë klubin katalanas të kalojë periudhën e vështirë.

38-vjeçari u prezantua një ditë më parë në “Camp Nou” dhe premtoi se do të rikthejë ditët e gëzuara në klub. Por sipas asaj që zbulojnë mediat spanjolle, ai do të mund të zbresë në fushë vetëm në muajin janar, kur të rihapet merkato.

Radio katalanase RAC1 raportoi gjithashtu se braziliani ka firmosur për vetëm 300 mijë euro në vit, rroga më e ulët e mundshme për një lojtar të kategorisë së parë spanjolle. Gjithashtu kontrata zgjat deri në verë. Për krahasim, Alves, lojtari me më shumë trofe të fituar në karrierë (42), do të fitojë në vit, gati gjysmën e rrogës që Cristiano Ronaldo fiton për një javë te Manchester United.

Por megjithatë, Barcelona ka vendosur në kontratën e tij, një klauzolë lëshimi para kohe prej 100 milionë eurosh, një shifër e tepruar për një lojtar që në fund të sezonit do të ketë mbushur 39 vjeç.

Një ditë më parë, gjatë prezantimit, Alves doli në “Camp Nou” me shapka me gisht, njëlloj si bëri në vitin 2008, kur u prezantua për herë të parë te Barcelona. Me klubin katalanas, braziliani ka fituar 6 tituj kampion në Spanjë dhe 3 Champions League.