Vizita e dy zyrtarëve të lartë amerikanë, zëvendës drejtorit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Evropën, John Erath dhe Drejtorit për Çështjet Evropiane Brad Berkley, në Kosovë, ka pasur si qëllim të përsëritet kërkesa e SHBA-së për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës nga ana e Kosovës, si dhe të bëhet thirrje për vazhdimin e dialogut.
Kështu thuhet në nje deklaratë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, në të cilën theksohet se delegacioni amerikan kanë përsëritur mesazhin se taksa “është pengesë ndaj përparimit, e minon partneritetin tonë dhe duhet të pezullohet për të çuar përpara dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Sipas kësaj deklarate, zyrtarët e lartë amerikanë, gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi kanë përforcuar mesazhin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se “duhet shfrytëzohet ky moment i veçantë për arritjen e marrëveshjes Kosovë- Serbi dhe se të dyja palët duhet të ndëpresin veprimet që e bëjnë të vështirë arritjen e marrëveshjes”.
SHBA-ja në të dyja kryeqyetet, përmes dy zyrtarëve të lartë, ka shprehur shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë dhe iu ka bërë thirrje udhëheqësve në Prishtinë dhe Beograd të ndërpresin veprimet provokative, si dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për t’u kthyer në tavolinën e bisedimeve. Ata kanë theksuar poashtu nevojën e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e lartë amerikanë kanë zhvilluar mbrëmë një takim të përbashkët me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Përmes dy komunikatave të ndara, presidenti dhe kryeministri kanë njoftuar për përmbajtjen e takimit.
Përderisa presidenti Thaçi njoftoi se zyrtarët e lartë amerikanë kanë “përsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, kryeministri Haradinaj, sipas një njoftimi të Qeverisë, ka thënë në takim se “Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeministri Ramush Haradinaj që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po kundërshton pezullimin e tarifës përderisa partneri tjetër i koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës që e udhëheq kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e saj në kohëzgjatje prej 120 ditësh.