Rezultatet e përzgjedhjes së shefave të Shërbimeve në QSUT mund të përmbysen. Sigurisht, në ato shërbime ku shefi është zgjedhur pa respektuar kriteret e vendosura më parë.
Për shkak të mungesës së transparencës, profesorë të mjekësisë shqiptare po përballen me njëri-tjetrin në procese gjyqësore.
Profesor Pajtim Lutaj, mjek i njohur në Okulistikë i cili e konteston procesin, nuk ka zgjedhur gjykatën pasi beson në një zgjidhje administrative.
“Përzgjedhja e shefave në QSUT ka dështuar. Në 4 shërbime nuk janë përzgjedhur ende, sepse nuk kanë gjetur kandidatë. Në 25 shërbime nuk u konkurrua, sepse ishin kandidatë të vetëm. Në 20 shërbime ku është kandiduar, ka 40 për qind kontestime”, shprehet Prof. Pajtim Lutaj, mjek okulist.
Profesor Pajtim Lutaj është diplomuar në Paris dhe me t’u kthyer në Shqipëri ka drejtuar Shërbimin e Okulistikës. Falë lidhjeve të tij me Francën u mundësuan investime asokohe nga qeveria franceze, si ai që edhe sot njihet si “Spitali Francez”, ndonëse është publik.
Profesor Lutaj fajëson plotësisht Komisionin prej 5 anëtarësh të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë.
“Komisioni i cili ka manipuluar të gjithë procesin. Kanë fituar titujt më të vegjël, përballë titujve më të lartë, apo diplomat shqiptare përballë diplomave të universiteteve më të mira të botës”, tha Lutaj.
“Ka pasur edhe një premtim të ministres së Shëndetësisë, Manastirliu – thotë profesori i Okulistikës, – për transparencë të këtij procesi”.
“Kam bërë takim me ministren e Shëndetësisë, e cila më ka premtuar që do ta rishikojë procesin dhe do të bëjë transparencën e tij. Fakti që prej më shumë se një muaji, ministrja e Shëndetësisë nuk e ka bërë këtë, duket sikur nuk ka një vullnet politik”, thotë më tej profesor Lutaj.
Kujtojmë se në vitin 2007, kur ish-ministri i Shëndetësisë Maksim Cikuli mori një vendim që profesorët nuk duhej të punonin në klinika private, profesor Lutaj që drejtonte Okulistikën në atë kohë zgjodhi që të punonte në sistemin privat.