Shefi i Pentagonit, James Mattis akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për “sjellje të këqija” në arenën ndërkombëtare dhe tha se angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s mbetet i palëkundur.
Mattis i bëri këto komente në Gjermani gjatë një aktiviteti me rastin e 70-vjetorit të Planit Marshall. Duke folur për studentët në Gjermani në përkujtim të Planit Marshall për rindërtimin e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Rusia ka zgjedhur të sfidojë rendin e “sigurisë dhe të paqes”. Duke ju refereruar konfliktit ne Ukraine dhe ndërhyrjes së Moskës në procesin zgjedhor amerikan ai u shpreh:
“Me sjelljet e këqija përtej kufijve të Rusisë, udhëheqësi rus nuk synon të përmirësojë fatet e këtyre njerëzve apo të rindezë shpresën e tyre”, shprehet James Mattis, shef i pentagonit.
Vizita e zotit Mattis në Gjermani është e katërta në Evropë që kur ai u bë sekretar i mbrojtjes në muajin janar. Partnerët e shqetësuar evropianë i kanë drejtuar sytë tek ai për mesazhe lidhur me synimet ndërkombëtare të Amerikës pas pikëpyetjeve të ngritura nga Presidenti Donald Trump rreth aleancave të vjetra.
Por sekretari i Mbrojtjes theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump duhet të gjykohen nga veprimet e tyre.
Mattis vuri në dukje vazhdimin e mbështetjes amerikane për praninë e avancuar të NATO-s në Europën Lindore deri në vitin 2020, për t’iu kundërvënë Rusisë. Në po të njëjtën dite Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet aleate, duke përjashtuar SHBA, do të rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 4.3 përqind për këtë vit.
Stoltenberg foli përpara gazetarëve në Bruksel, në prag të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Komentet vijnë në klimën e trysnive të ushtruara nga presidenti Donald Trump që aleatët të shpenzojnë më shumë për Aleancën.