Opinione Eduard Selami do të ishte një magjistar, nëse do të bëhej kryetar...

Eduard Selami do të ishte një magjistar, nëse do të bëhej kryetar i PD-së

Lulzim Basha foli parmbrëmë për herë të parë. Foli shkurt. Vëmendja e opinionit publik mbeti e varur te vendimi i tij “për të ngrirë funksionet si kryetar i PD-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri”, por në atë fjalim të shkurtër ka patur edhe një gjë tjetër për t’u nënvizuar. Madje, kjo e fundit ishte më e rëndësishmja. Ishte një pasazh i tërë, ku në thelb flitej për pará të pista droge, me të cilat u blenë votat e demokratëve. Po veçoj një pjesë nga ky pasazh: “Me gjithë përpjekjet që unë dhe Partia Demokratike bëmë…, sërish krimi dhe paraja e pistë, presioni i shtetit, nuk u ndalën. Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën… Kjo ishte një garë e pabarabartë… Ajo që ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit është triumf i paligjshmërisë. Por… qindra-mijëra shqiptarë që refuzuan të shiten, janë një frymëzim për mua, për demokratët dhe qytetarët e ndershëm, që jo vetëm të mos e ndalim projektin tonë, por të ecim përpara me më shumë energji, kurajë dhe vendosmëri. Është e qartë si drita e diellit, se krimi, bandat, droga, trafikantët e votave e të dinjitetit njerëzor, kanë vetëm një pengesë, vetëm një rezistencë. Dhe unë e Partia Demokratike, së bashku me qytetarët e ndershëm të vendit, nuk jepemi… Mandatet për mazhorancën nuk kanë dalë prej socialistëve të ndershëm, por prej korridoreve të pista të pushtetit dhe kthinave të krimit e bandave. Nuk kanë asgjë për të gëzuar ata që festojnë sot mbi këtë maskaradë që ka ndodhur. Nuk ka gjë më të trishtë se blerja dhe shitja e votës”.

Më duhet ta them që në fillim: Ky njeri është për të ardhur keq. Pata një si empati për të në momentet e para pas humbjes, kur iu vërsulën ata që e kanë zakon ta braktisin barkën në momentet që barka lëkundet apo lloj-lloj vjetërsirash që nuk kanë asgjë për t’i ofruar as Partisë Demokratike, as Shqipërisë, por ky pasazh më ftilloi e më risolli para syve Lulzim Bashën e vërtetë, një njeri – në rastin më të mirë – deluzional. Ai nuk po e kupton se çfarë ka bërë e çfarë ka ndodhur. Ai po bën me faj gjithçka, por jo veten e jo Partinë Demokratike, që është në një gjendje të mjeruar.

Por mund të thotë ndonjëri: “Çfarë ka për t’u habitur në këtë mes? Blerje votash ka patur që ç’ke me të”. Ok, e di këtë. Vetëm një idiot mund ta përjashtojë që janë shitur e blerë vota, por i njëjti idiot e di gjithashtu, se humbja e Lulzim Bashës nuk ka lidhje me këtë gjë, dhe se prandaj ajo nuk është fare çështje e shtruar për diskutim. Një kjo. Së dyti, na është e bërë e lodhshme ta dëgjojmë këtë avaz pas humbjes. Nëse një parti e madhe ka bindjen se shitblerja e votës ekziston në këto nivele, ajo duhet të marrë të gjitha nismat ligjore në parlamentin e ardhshëm për të shtuar ndëshkimet ndaj atyre që  guxojnë të kryejnë akte të tilla. Diçka ndodhi që këtë herë, gjë që u duk te ndalimet, arrestimet, paditë që u ngritën ndaj dhjetëra vetëve e te një klimë frike që u krijua për kundërvajtës të kësaj kategorie. Një klimë e tillë duhet të mbahet e të forcohet në të ardhmen. Vetëm kjo është zgjidhja. Prandaj, është koha për të thënë: Mjaft me denoncime të tilla! Sidomos kur janë të ngritura në havá. Asnjë provë nuk na dha Lulzim Basha me këtë rast. Vetëm bëri denoncimin. Fakti që ai nuk jep prova nuk do të thotë se fenomeni nuk ekziston. Jo, thjesht do të thotë se ai e kushdo tjetër, nuk duhet ta hapë gojën pa prova. Pastaj, siç e thashë, humbja nuk shpjegohet me këtë gjë. Po të ishte kështu, Basha do duhej të na shpjegonte se pse e fitoi PD-ja garën për kreun e bashkisë së Kavajës (meqë ra fjala, ishte gjest i bukur ai përqafimi mes fituesit e humbësit pasi u mor vesh rezultati)? Më saktë, pse nuk e bleu edhe këtë post banda e drogës dhe e krimit?

Kjo paaftësi apo padëshirë e Bashës për të lexuar edhe një humbje të tillë katastrofike është shenjë se në atë parti gjërat janë keq. Si për ta përforcuar këtë përfundim, duhet thënë se nuk është vetëm Basha që nuk di ta lexojë humbjen. Duket se pothuaj të gjithë nuk dinë ta bëjnë këtë gjë. Kështu ka qenë qysh në krye të herës në atë parti. Kurrë nuk kanë ditur ta lexojnë humbjen. Është një nga karakteristikat dalluese të saj. Ja, shihni se si reagojnë të tjerët. Sidomos kundërshtarët e Bashës. “E ka fajin Basha”, janë duke thënë pothuaj të gjithë, dhe as që u shkon në mendje se ajo parti ka nevojë për shumë më tepër se sa për zëvendësimin e kryetarit. Largimi i Bashës është më e para gjë që duhet bërë, por kjo nuk do ta zgjidhte krizën. Ajo parti duhet rithemeluar. Dhe duhet hapur. Dhe për këtë duhet që PD-ja të mos mbetet në duart e atyre që bërtasin më shumë kundër “armikut”, në duar të atyre që për armik marrin këdo që nuk bie dakord me ta, në duar të atyre që u treguan të gatshëm që edhe Merkelin ta nxirrnin të blerë nga Sorosi apo Edi Rama etj. etj.

Është e çuditshme se si nuk kuptohet që PD-ja është e zhytur në një krizë të thellë. Po të kuptohej kaq gjë, do të ishte gjysma e së keqes. Sepse kjo krizë, si çdo krizë, është edhe një mundësi e mirë. Është një rast i mirë për ta shkundur këtë parti. Dhe kjo shkundje duhet të fillojë me përpjekjet për ta shkëputur atë nga e shkuara e vet, e për të shpallur një fillim të ri. “Një fillim i ri” jo për ta përdorur si slogan, siç u përdor “republika e re”. Jo, lipset një fillim mirëfillti i ri. Mirëpo, duket se ka shumë pak demokratë që e shohin këtë punë kështu. Për më tepër, këta pak demokratë nuk guxojnë t’i thonë ato që mendojnë, ose guxojnë me shumë kujdes, iu vinë rrotull gjërave, e përdredhin gjuhën, më shumë e kanë mendjen të konformohen e të mbijetojnë, se sa të bëjnë tronditjen e madhe.

Një nga këta duket se është Eduard Selami, që e ka shpallur kandidaturën tanimë. E dëgjuat mbrëmë atë? Nuk ka diskutim që ai është i ndryshëm nga kafshët e fermës orwelliane me emrin PD, është i ndryshëm sidomos nga kryederri, por në konferencën për shtyp e në “Top Story” nuk u shty më tutje se sa duhej. Është i justifikuar, ngaqë atij i duhet të bëjë real-politikë, ndryshe e sheh veten jashtë derës së selisë së PD-së (atje ku dje tentoi ta nxirrte një qëndrestar), por në të njëjtën kohë, ai ka shumë gjasa të pësojë një fiasko në një garë të kontrolluar plotësisht nga kundërshtari i tij, e kështu ka shumë mundësi të pësojë fiasko pa mundur as të denoncojë kushtet e pabarazisë në këtë garë. Nëse e ka të sigurt humbjen (siç ngjan të jetë; do ishte shumë naiv, nëse këtë fund nuk e çon në mendje), do ishte më mirë që ta çonte pak zërin (aq sa mund ta çojë ai) në mënyrë që të mbahet mend si dikushi që e vuri gishtin mbi plagët e mahisura të kësaj partie, se sa si dikush që doli ashtu si hyri, pa lënë asnjë gjurmë, e ç’është më e keqja, duke e lënë PD-në ashtu si është sot, të vdekur dhe të pakallur në dhé.

Eduard Selami është optimist, por unë vetë kam frikë se gjendja në atë parti është e pashpresë, kam frikë se ajo parti është e sëmurë dhe e pashërueshme. Dhe kjo garë ka për ta provuar këtë që sapo thashë. Për trishtimin e Selamit.