Sport Shehi: Vazhdoj të luaj, nuk thyej premtimin

Shehi: Vazhdoj të luaj, nuk thyej premtimin

Orges Shehi kishte deklaruar tërheqjen nga futbolli, por presidenti i Skënderbeut Takaj, e bindi që të luajë edhe ndeshjet e Europës.

Gjithsesi, aventura europiane e korçarëve do të vazhdojë në fazën e grupeve të Europa League dhe portieri durrsak deklaroi se do të vazhdojë të mbrojë portën e bardhekuqve.

“Do të vazhdoj të mbroj portën e Skënderbeut akoma, edhe në fazën e grupeve. Kisha premtuar se do të tërhiqesha pas ndeshjeve të Europës, por përderisa aventura jonë vazhdon, edhe unë mund të vazhdoj të luaj, pa e thyer premtimin”, tha Shehi.

Portieri durrsak ishte një nga pikat më të forta të korçarëve, gjatë këtyre kualifikueseve dhe premton se është në formë shumë të mirë, për të përballuar, pse jo edhe një sezon tjetër.

“Jam në formë shumë të mirë. Bashkë me Bozhiqin, stërvitem si të isha në fillim të karrierës, jo në fund të saj. Pastaj, eksperienca e shumtë më ka bërë më të qetë në administrimin e situatave”, tha kapiteni i korçarëve.

Shehi vlerësoi edhe paraqitjen e ekipit, duke e cilësuar më se të merituar kualifikimin.

“Tani jemi më shumë ekip se kurrë më parë. Kemi luajtur një futboll mjaft të mirë dhe kemi merituar këtë kualifikim, pasi kemi kaluar plot katër ture. U përshëndetëm me Latifin, i cili luajti ndeshjen e fundit me ne. Tani do të nismi përgatitjet për fillimin e kampionatit, ndërsa do të mundohemi të lëmë gjurmë edhe në grupet e Europa Ligës, por më përpara të presim shortin”, tha portieri i Skënderbeut.