Eksperti i ekonomisë, Sherefedin Shehu, thotë se qeveria duhet të heqë dorë nga një kategori investimesh, të cilat nuk janë imediate në situatën e shkaktuar nga pandemia. Në studion e TvT përmes Skype, Shehu tha se ato që konsiderohen si investime luksi do t’i kishin kursyer shtetit rreth 150 milionë euro. Por pavarësisht situatës së vështirë, procedurat e tenderimit vijojnë. Shehu solli shembullin e tenderit të AKSHI-t për pajisje.
“Në investime publike, 25-30 i zënë ato që quhen investime luksi: rikonstruksion zyrash, blerje printerash, pajisjesh, pra rreth 150 milionë euro. Qeveria duhej të njoftonte ndalimin e tenderave për investime publike, sepse nëse ka një problem në një rrugë a një urë në krahasim me situatën mund të shtyhen në kohë. Investime të pakontraktuara, duhej ndërprerë procesi. Ne kemi parë edhe investime qesharake si ai i AKSHI-t që ka tenderuar printera. Pra qeveria nuk po solidarizohet vetë. Nuk po cenon buxhetin e vet edhe për gjëra që presin, që mund të shtyhen në kohë. Kjo është një rezervë dhe brenda saj ka zëra sa të duash. Në fund është borxhi publik, ndërsa qeveria të parën bëri borxhin”, tha ai.