Kuriozitete Mrekulli në SHBA: 27-vjeçarja në terapi intensive dhe në koma farmakologjike lind...

Mrekulli në SHBA: 27-vjeçarja në terapi intensive dhe në koma farmakologjike lind një vajzë

Angela Primachenko, e cila jeton në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një 27-vjeçare që u prek nga koronavirusi.

Në javën e 33-të të shtatzënisë, gjendja e saj shëndetësore përkeqësohet dhe futet në terapi intensive. Ndërkohë që është në koma farmakologjike, lind një vajzë, por vetëm kur zgjohet e zbulon se është bërë nënë.

Fatmirësisht, e vogla Ava rezultoi negative me koronavirus, por nënë e bijë duhet të qëndrojnë larg njëra-tjetrës për pak kohë.

Në Instagram, Angela shpërndau një mesazh për të treguar atë që kaloi në 3 javët e fundit: “Dola nga spitali pas 7 ditësh aty, 10 ditësh në respirator dhe 1000 lutjeve. Është shumë bukur të jesh në shtëpi sërish!”

Në fund të muajit mars, motra e saj binjake kishte nisur një mbledhje fondesh për të përballuar shpenzimet spitalore, duke grumbulluar rreth 50 000 dollarë. Angela dhe bashkëshorti i saj janë tregtarë të vegjël dhe sigurimi shëndetësor i tyre nuk arrinte të përballonte shtrimin në terapi intensive.

“Binjakja ime jo vetëm që i mbijetoi koronavirusit, por arriti edhe që të sillte në jetë vajzën ndërkohë që ishte në koma farmakologjike. E di, askush nga ne nuk e shpjegon dot se si ndodhi kjo, por ja që mrekullia ndodhi”, shkroi motra binjake e Angela.