Në 100 vjet që nga grushti i shtetit i Leninit në Rusi, ideologjia që shpalli të paligjshme pronën private dhe ekonominë e tregut të lirë ka lënë gjurmë të thella dhe të përgjakshme të shkatërrimit
Nga Stephen Kotkin, Wall Street Journal
Këtë javë, një shekull më parë, komunizmi sundoi perandorinë ruse, shteti më i madhi në botë në atë kohë. Lëvizjet e majta të llojeve të ndryshme kanë qenë të zakonshme në politikën europiane shumë kohë përpara revolucionit të 25 Tetorit 1917 (i cili u bë 7 Nëntori i kalendarit të reformuar rus), por Vladimir Lenini dhe bolshevikët e tij ishin të ndryshëm. Ata nuk ishin vetëm fanatikë në bindjet e tyre, por fleksibël në taktikat që përdorën – dhe me fat për ata kundërshtarë të dobët që patën.
Komunizmi hyri në histori si një dënim i egër, por idealist i kapitalizmit, me premtimin e një bote më të mirë. Përkrahësit e tij, sikurse edhe të tjerë në të majtë, fajësuan kapitalizmin për kushtet njësoj të mjerueshme që prodhonte për punëtorët edhe për fshatarët, si dhe për shkallën masive të përdorimit të punës së skllevërve e veçanërisht të fëmijëve. Komunistët e konsideruan masakrën e Luftës së Parë Botërore si rezultat të drejtpërdrejtë të konkurrencës së ashpër midis Fuqive të Mëdha për tregjet botërore.
Por përvoja e një shekulli me komunizëm në pushtet – me disa mangësi ende tani në Kubë, Korenë e Veriut dhe Kinën – e ka bërë të qartë koston njerëzore të një programi politik të vendosur në përmbysjen e kapitalizmit. Në mënyrë të përsëritur e të vazhdueshme, përpjekjet për të eliminuar tregjet dhe pronën private sollën vdekjen e një numri të jashtëzakonshëm njerëzish. Që nga viti 1917, në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Mongoli, Europën Lindore, Indokinë, Afrikë, Afganistan dhe pjesë të Amerikës Latine – komunizmi u ka marrë jetën të paktën 65 milionë njerëzve, sipas studimeve të kujdesshme të demografëve.
Mjetet e shkatërrimit të komunizmit kanë përfshirë dëbimet e internimet masive, kampet e detyruara të punës dhe terror të policisë së shtetit – një model i ndërtuar nga Lenini dhe sidomos nga pasardhësi i tij Joseph Stalin. Ky model është imituar gjerësisht. Ndonëse komunizmi ka vrarë një numër të madh njerëzish në mënyrë të qëllimshme edhe shumë prej viktimave të tij kanë vdekur nga uria si rezultat i projekteve mizore të planifikimeve sociale.
Për këto krime epike, Lenini dhe Stalini kanë përgjegjësi personale, ashtu si Mao Ce Duni në Kinë, Pol Pot në Kamboxhia, dinastia Kim në Korenë e Veriut dhe një numër tiranësh komunistë më të vegjël. Por nuk duhet të harrojmë idetë që i nxitin këta njerëz të këqij të vrasin në një shkallë kaq të gjerë, ose kontekstin nacionalist në të cilin i përqafuan këto ide. Antikapitalizmi ishte tërheqës për ta në të drejtën e vet, por gjithashtu shërbeu si një instrument në mendjet e tyre, që vendet e prapambetura të hidheshin në radhët e Fuqive të Mëdha.
Revolucioni komunist tani mund të konsiderohet i kaluar, por 100-vjetori i tij, si çështja më e madh antikapitaliste, ende kërkon llogaridhënien e duhur.
Në shkurt të vitit 1917, Cari Nikolla II dha dorëheqjen nën presionin e gjeneralëve të tij, të cilët menduan se marshimet e bukës dhe protestat në kryeqytetin e Shën Peterburgut do të dëmtonin e zbehnin fuqinë e luftës kundër Gjermanisë dhe aleatëve të saj. Nga Revolucioni i Shkurtit, siç u bënë të njohura këto ngjarje, u formua një qeveri të përkohshme e pazgjedhur, e cila zgjodhi të sundojë pa Parlamentin e zgjedhur. Fshatarët filluan të zaptonin toka dhe sovjetikët (ose këshillat politikë) nisën të formohen midis ushtarëve në front, siç kishte ndodhur më parë midis grupeve politike nëpër qytete.
Atë vjeshtë, ndërsa lufta po vijonte, Bolshevikët e Leninit nisën një kryengritje të armatosur që përfshinte ndoshta jo më shumë se 10,000 vetë. Ata e drejtuan grushtin e shtetit jo kundër qeverisë së përkohshme, së cilës po i vinte fundi, por kundër sovjetëve kryesorë në kryeqytet, të cilët dominoheshin nga të tjerë socialistë më të moderuar. Revolucioni i Tetorit filloi si një grusht shteti nga radikalët kundër pjesës tjetër të të majtëve, anëtarët e të cilëve i denoncuan bolshevikët për shkelje të të gjitha normave dhe më pas u larguan nga sovjetët.
Bolshevikët, si shumë nga rivalët e tyre, ishin përkrahës të Karl Marksit, të cilët e panë luftën e klasave si motorin e madh të historisë. Ajo që ai e quajti feudalizëm do t’i hapte rrugën kapitalizmit, i cili do të zëvendësohej nga socializmi dhe, në shkallë të fundit, prej utopisë së largët të komunizmit. Marks parashikoi një epokë të re të lirisë dhe bollëkut, dhe parakushti i saj ishte të shkatërronte “skllavërinë e pagave” dhe shfrytëzimin e kapitalizmit.
Ndërsa ai dhe bashkëpunëtori i tij Friedrich Engels deklaruan në Manifestin Komunist të vitit 1848, se “teoria jonë mund të përmblidhet në një fjali të vetme: Heqja e pronës private”. Pasi erdhën në pushtet në fillim të vitit 1918, bolshevikët e riquajtën veten Partia Komuniste dhe kërkonin të detyronin Rusinë drejt socializmit dhe, eventualisht, drejt fazës përfundimtare të historisë. Miliona njerëz u përpoqën të jetojnë në mënyra të reja. Askush, megjithatë, nuk e dinte me saktësi sesi duhej të dukej shoqëria e re. “Ne nuk mund të japim një karakterizim të socializmit”, pranoi Lenini në mars të vitit 1918. “Çfarë do të jetë socializmi kur të arrijë formën e tij përfundimtare, ne nuk e dimë, nuk mund të themi”.
Por një gjë ishte e qartë për ta: Socializmi nuk mund të ngjajë me kapitalizmin. Regjimi do të zëvendësonte pronën private me pronën kolektive, tregjet me planifikimin dhe parlamentet “borgjeze” me “fuqinë e njerëzve”. Në praktikë, megjithatë, planifikimi shkencor ishte i paarritshëm, siç pranuan edhe disa komunistë në atë kohë. Sa i përket kolektivizimit të pronës, ajo nuk i fuqizoi njerëzit, por shtetin.
Procesi i vënë në lëvizje nga komunistët përfshinte zgjerimin e madh të një aparati sekret policor për të bërë arrestimet, internimet e brendshme dhe ekzekutimin e “armiqve të klasës”. Shpronësimi i kapitalistëve gjithashtu e pasuroi një klasë të re të funksionarëve shtetërorë, të cilët fituan kontroll mbi pasurinë e vendit. Të gjitha partitë dhe pikëpamjet jashtë doktrinës zyrtare u shtypën, duke eliminuar politikën si një mekanizëm korrigjues.
Qëllimet e deklaruara të revolucionit të vitit 1917 ishin bollëku dhe drejtësia sociale, por angazhimi për të shkatërruar kapitalizmin krijoi struktura që e bënë të pamundur arritjen e këtyre qëllimeve.
Në zonat urbane, regjimi sovjetik tërhiqte punonjës të armatosur të fabrikave, anëtarë të etur për partinë dhe policinë sekrete, si dhe të rinjtë të paduruar për të ndërtuar një botë të re. Megjithatë, në fshatra, fshatarët – rreth 120 milionë shpirtra – kishin kryer revolucionin e tyre, duke hedhur poshtë fisnikërinë e vogël dhe duke krijuar de facto pronësinë e tokës fshatare. Me një vend të shkatërruar në prag të urisë, Lenini detyroi kuadrot e palëkundur të partisë që të pranonin për momentin revolucionin e veçantë fshatar. Në fshatra, për shkak të kundërshtimeve të puristëve komunistë, një ekonomi kuazi- tregu u lejua të vepronte.
Me vdekjen e Leninit në vitin 1924, ky lëshim u bë problemi i Stalinit. Në 1928, jo më shumë se 1% e tokës bujqësore të vendit ishte kolektivizuar vullnetarisht. Deri atëherë, fabrikat kryesore ishin kryesisht në pronësi të shtetit dhe regjimi ishte angazhuar për një plan pesëvjeçar për industrializim. Revolucionarët shqetësoheshin tani që Bashkimi Sovjetik kishte sisteme që nuk përputhen: socializmin në qytet dhe kapitalizmin në fshat.
Stalini nuk u përkul. Ai imponoi kolektivizëm shtrëngues nga Deti Baltik në Oqeanin Paqësor, madje edhe përballë rebelimit masiv të fshatarëve. Ai i kërcënoi zyrtarët e partisë, duke u thënë atyre se nëse ata nuk ishin seriozë në lidhje me çrrënjosjen e kapitalizmit, ata duhet të ishin të përgatitur për t’ia dorëzuar pushtetin borgjezisë rurale në rritje. Ai nxiti luftëra klasore kundër “Kulakëve” (fshatarë në Rusi që ishin aq të pasur sa për të zotëruar një fermë) dhe të gjithë atyre që i mbronin ata, duke imponuar kuota për arrestime masive dhe dëbime të brendshme
Stalini ishte i qartë në arsyetimin e tij ideologjik. “A mund të zhvillojmë bujqësinë sipas modës kulake, si ferma individuale, sipas modelit të fermave të mëdha” të ngjashme me ato në “Amerikë e kështu me radhë”, shtroi pyetjen ai. “Jo, nuk mundemi. Ne jemi një vend sovjetik. Ne duam të zbatojmë një ekonomi kolektive, jo vetëm në industri, por edhe në bujqësi”.
Dhe ai kurrë nuk u kthye prapa, edhe kur, si rezultat i politikave të tij, vendi u zhyt në një fazë tjetër urie nga viti 1931 deri më 1933. Kolektivizimi i detyruar gjatë atyre pak viteve do të përkthehej në 5-7 milionë jetë.
Precedenti i tmerrshëm i Bashkimit Sovjetik nuk bëri asgjë për të penguar revolucionarët e tjerë komunistë. Mao Ce Dun, një njeri i fortë si Stalini, ishte vënë në krye të lëvizjes kineze dhe, në vitin 1949, ai dhe shokët e tij dolën fitimtarë në luftën civile kineze. Mao e pa humbjen kolosale të jetëve në eksperimentin sovjetik, si thelbësor për suksesin e tij.
Lëvizja e tij “Hapi i Madh Përpara”, një fushatë e dhunshme nga viti 1958 deri në vitin 1962, ishte një përpjekje për të kolektivizuar rreth 700 milionë fshatarë kinezë dhe për të përhapur industrinë në të gjithë fshatrat. “Tre vite të forta pune dhe vuajtje, dhe një mijë vjet prosperitet”, u bë një slogan i shquar i kohës.
Raportet e falsifikuara të korrjeve triumfale dhe fshatarëve të gëzuar përmbysën kompleksin e mirëpajisur të elitës komuniste në Pekin. Në realitet, programi i Maos rezultoi në një nga krizat e urisë më vdekjeprurëse të historisë, duke pretenduar midis 16 dhe 32 milionë viktimave. Pas katastrofës, referuar nga të mbijetuarit si “era komuniste”, Mao bllokoi thirrjet për një tërheqje nga kolektivizimi. Siç tha ai, “fshatarët duan ‘lirinë’, por ne duam socializmin”.
As kjo nuk e shteroi repertorin e brutalitetit komunist në emër të kapitalizmit të përmbysur. Me pushtimin e Kamboxhias në vitin 1975, Pol Pot dhe Khmer Rouge të tij, çuan miliona njerëz nga qyteti drejt fshatit për të punuar në kolektiv dhe në projektet e punës së detyruar. Ata kërkuan të kthenin Kamboxhian ne një shoqëri pa klasa, vetëm agrare.
Pushteti i Khmer Rouge hoqi paranë, ndaloi peshkimin komercial dhe persekutonte budistët, myslimanët dhe pakicat etnike vietnameze dhe kineze si të “infiltruar”. Regjimi i Pol Pot gjithashtu kapi fëmijët që të parandalonte infeksionin ideologjik nga prindërit “kapitalistë”.
Si përfundim, ndoshta deri në 2 milionë kamboxhianë, një e katërta e popullsisë, u zhdukën si pasojë e urisë, sëmundjes dhe ekzekutimeve masive gjatë katër viteve të makthit të sundimit të Pol Pot. Në disa rajone, kafka mund të gjendet në çdo pellg.
Analiza e luftës së klasës së Marks e mohoi legjitimitetin ndaj ndonjë opozite politike, jo vetëm nga elementet “borgjezë”, por edhe nga vetë lëvizjet komuniste – sepse kundërshtarët “objektivisht” i shërbenin interesave të rendit kapitalist ndërkombëtar. Logjika e pamëshirshme e revolucionit antikapitalist vuri në dukje një lider të vetëm në majë të një sistemi të vetëm partiak.
Nga Rusia dhe Kina në Kamboxhia, Koreja e Veriut dhe Kuba, diktatorët komunistë kanë ndarë tipare kyçe. Të gjithë janë përshtatur, pak a shumë, me tipin Leninist: një bashkim ideologu militant dhe intrigantë të paskrupujt. Dhe të gjithë kanë pasur një vullnet ekstrem – parakusht për arritjen e asaj që mund të sjellë vetëm gjakderdhja e papërshkrueshme.
Komunizmi nuk ishte i vetmi gjatë shekullit të kaluar në kryerjen e masakrës së madhe. Shtypja e nazizmit dhe luftërat e shfarosjes racore vranë të paktën 40 milionë njerëz, dhe gjatë Luftës së Ftohtë, antikomunizmi nxiti shpërthimet e dhunës groteske në Indonezi, Amerikë Latine dhe gjetkë. Por, si dëshmitë e tmerreve të komunizmit u shfaqën gjatë dekadave, ajo tronditi me të drejtë liberalët dhe të majtët në Perëndim, të cilët ndanë shumë nga synimet egalitare të revolucionarëve. Disa e mohonin Bashkimin Sovjetik si një deformim të socializmit, duke atribuuar krimet e regjimit në prapambetjen e Rusisë ose veçoritë e Leninit dhe Stalinit. Sidoqoftë, Marksi kurrë nuk i mbrojti vrasjet masive ose kampet e punës të Gulagut. Askund nuk argumentoi se policia sekrete, dëbimi me makinat e bagëtive dhe vdekjet masive nga uria duhet të përdoren për të krijuar ferma kolektive.
Por nëse mësojmë një mësim nga shekulli komunist, është ky: Që të zbatojmë idealet marksiste duhet t’i tradhtojmë ato. Kërkesa e Marksit “për të hequr pronën private” ishte një thirrje për veprim dhe një rrugë e pashmangshme për krijimin e një shteti shtypës dhe të pakontrolluar.
Disa socialistë filluan të pranonin se nuk mund të kishte liri pa tregje dhe pronë private. Kur ata bënë paqen e tyre me ekzistencën e kapitalizmit, duke shpresuar që të rregullojnë më tepër sesa të heqin, ata fillimisht u akuzuan si tradhtarë. Me kalimin e kohës, më shumë socialistë përqafuan shtetin e mirëqenies, ose ekonominë e tregut me rishpërndarje. Por thirrja e sirenës për të kapërcyer kapitalizmin vazhdon ende midis disa të majtëve.
Ajo mbetet ende gjallë, megjithëse jo më në modën ortodokse marksiste, në Rusi dhe në Kinë, fortesa e madhe e shekullit komunist. Të dy vendet vazhdojnë të mos besojnë atë që ndoshta është më e rëndësishme për tregjet e lira dhe pronën private: kapacitetin e tyre për të dhënë pavarësi veprimi dhe mendimesh për njerëzit e zakonshëm, duke ndjekur interesat e tyre siç e shohin të arsyeshme, në jetën private, në shoqërinë civile dhe në sferën politike
Por antikapitalizmi shërbeu edhe si një program për një rend alternativ në botë, në një të atillë ku mund të realizohen, synimet nacionaliste të shtypura prej një kohe të gjatë. Për Stalinin dhe Maon, trashëgimtarë krenarë të qytetërimeve antike, Europa dhe SHBA përfaqësonin joshjen dhe kërcënimin e një Perëndimi superior. Komunistët i caktuan vetes detyrën të barazonin dhe të kapërcenin rivalët e tyre kapitalistë dhe të fitonin për vendet e tyre, një vend qendror në arenën ndërkombëtare.
Kjo luftë revolucionare lejoi Rusinë të përmbushte kuptimin e saj shekullor të një misioni të posaçëm në botë, ndërkohë që i dha Kinës një pretendim për të qenë edhe një herë Mbretëria e Mesme. Rezistenca e Vladimir Putinit ndaj Perëndimit, me përzierjen e tij të veçantë të nostalgjisë sovjetike dhe ringjalljes ortodokse ruse, bazohet në precedentin e Stalinit. Nga pikëpamja e saj sigurisht, Kina mbetet gjiganti i fundit komunist, ashtu si Pekini nxit dhe përpiqet të kontrollojë një ekonomi tregu kryesisht. Nën sundimin e Xi Jinping, vendi tani përqafon si ideologjinë komuniste dhe kulturën tradicionale kineze, në një përpjekje për të përforcuar qëndrimin e saj si një alternativë ndaj Perëndimit.
Shekulli i përgjakshëm i Komunizmit ka përfunduar, dhe ne mund të festojmë të shkuarën e saj. Por aspektet shqetësuese të trashëgimisë së saj zgjasin ende.
*Kotkin është profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Princeton dhe anëtar i lartë në Institutin Hoover të Stanford-it. Libri i tij i fundit, “Stalini: Pritja për Hitlerin, 1929-1941”, u botua muajin e kaluar nga Penguin Press.