Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur një peticioni të banorëve të Njësisë Administrative nr. 9 Tiranë.
Banesat e tyre do të shemben pasi sipas një projekti të bashkisë aty është parashikuar zonë në zhvillim që parashikon ndërtimin e pallateve për familjet e prekura nga tërmeti, por me banorët e “5 Majit” nuk është konsultuar askush nga autoritetet shtetërore, si edhe nuk ka asnjë transparencë se si do të shpronësohen nga Bashkia e Tiranës.
Për këtë arsye, ata i kanë dërguar një peticion presidentit Meta, ndërsa ky i fundit i kërkon Këshillit të Ministrave, ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Tiranës, si dhe Avokatit të Popullit, që të ndjekin nga afër shqetësimet e banorëve dhe t’iu japin atyre një zgjidhje të drejtë.
“Pranë Institucionit të Presidentit të Republikës është administruar një peticion nga banorët e Njësisë Administrative nr. 9 Tiranë, nëpërmjet të cilit ata shprehin kundërshtimet dhe ankesën e tyre në lidhje me mungesën e transparencës dhe procedurave jo korrekte të ndjekura për procesin e shpronësimeve të pronave të tyre nga Bashkia e Tiranës.
Përmes këtij peticioni, banorët informojnë se realizimi i projektit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, do të përkojë domosdomërisht ne prishjen e pronave të tyre që këta qytetarë gëzojnë në këtë zonë.
Gjithashtu, banorët e kësaj pretendojnë se nga autoritetet shtetërore nuk është realizuar asnjë konsultim publik me komunitetin e kësaj zone, si dhe nuk është kryer sipas procedurave ligjore dhe asnjë njoftim zyrtar mbi projektin dhe mënyrën se si është dhe se si do të zbatohet.
Në këtë kuadër, duke e vlerësuar shqetësues problemin e trajtuar nga banorët, pasi në rastin konkret kemi të bëjmë me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, siç janë të drejtat pronësore, të cilat gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ju përcjellim për trajtim peticionin e dërguar dhe shqyrtimin e pretendimeve të ngritura, në mënyrë që të mundësohet një zgjidhje e drejtë për të gjithë shtetasit letërshkrues dhe interesin publik në tërësi”, shkruhet në letrën e Presidencës.