Kryesore SHËNIM: Fenomeni Lu dhe 18 Shkurti

SHËNIM: Fenomeni Lu dhe 18 Shkurti

Kur në Shqipëri u emërua ambasadori i ri amerikan, Donald Lu, për shumëkënd, edhe për autorin e këtij shënimi, zëvendësimi i zotit Arvizu, ishte njëri nga ato rrethrrotullimet e zakonshme të politikës diplomatike, të cilat, pas ose aspak, luajnë boshtin e tyre. Zoti Lu, i cili më shumë se për enigmën e përzgjedhjes së tij, barte pas vetes edhe faktin se do të ishte ndër të paktët që gjuhën shqipe e kishte marrë seriozisht në atë periudhën nga emërimi e deri tek ardhja, do të gjente një situatë tipike ballkanike, pluhurosur edhe me shijen shqiptare.

Do të jetë ambasadori i parë amerikan, i cili, pa asnjë mëdyshje, vendosi të bëhej pjesë e ndryshimeve themelore në substancën e shtetit, në njërën nga pikat më të tronditura të saj, në sistemin e drejtësisë.

Herë-herë tepër i qetë, herë-herë i drejtpërdrejtë deri në shfaqje publike, ai mori përsipër një mision të cilin ia kishte dhënë shteti i tij, por, për më tepër, vendosi të mos ishte pjesë e nënkëmbjes diplomatike që i ka shoqëruar gjithnjë ata.

Që nga ambasadori i dytë amerikan pas vendosjes së pluralizmit dhe deri tek zoti Lu, të gjithë, pa asnjë përjashtim, ishin pritur si miq nga qeveritë përkatëse, ishin parë me dyshim kur kishte qenë në pushtet opozita e sotme dhe ishin shpallur armiq po nga to.

Asnjëri prej tyre nuk i ka shpëtuar këtij rreziku. Edhe zoti Arvizu, i cili provoi të ishte ledhatues i një njeriu që sapo kishte vrarë katër vetë në mesin e ditës, duke e quajtur burrë shteti, pak muaj më pas, si ndodhte zakonisht, u bë njeriu i dyshimtë që fshihej pas kryeprokurores së përgjithshme dhe, më pas, edhe ai u bë armiku i opozitës.

Për të gjithë ambasadorët amerikanë pushteti i Berishës, përmes lobimeve miliona dollarësh, në firma të njohura pranë miqve të afërt të zotit Soros, ka tentuar dhe nga njëherë ia ka arritur të sjellë largimin e tyre. Zakonisht kjo është bërë në muajt e fundit të mandatit të tyre.

Për zotin Lu, opozita dhe një pjesë e qeverisë nuk kanë pritur kaq gjatë. Dyshimi dhe pastaj angazhimi për të hequr qafe diplomatin e lartë amerikan në Shqipëri, i cili, duhet thënë, i vuri në rresht dhe i detyroi të miratohen ndryshimet kushtetuese pa asnjë kundërshtim, ka filluar që herët dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Njeriu i parë që duhet të largohet nga Shqipëria, për berishistët e të gjitha niveleve të larta, është pikërisht ambasadori amerikan, dhe, sipas mendësisë së tyre, largimi i zotit Lu, do të ishte edhe shpëtimi i tyre, jo thjeshtë politik, por edhe ai juridik.

Nuk është e vështirë të gjesh informacion të saktë për grabitjet që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin në shtetin shqiptar. Në ambasadat e huaja, por edhe në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, në jo pak raste, “shemrit” politikë, edhe brenda një vathe, paraqiten shpesh herë vullnetarisht ose informojnë e zell për “bëmat” e kundërshtarëve, por edhe të kolegëve të tyre.

Nga ana tjetër, jo të gjithë ata që kanë ardhur për të monitoruar gjendjen në Shqipëri, janë syleshë dhe në gjumë letargjik.

Informacione të tilla, të bollshme, duket se ka edhe në duart e zotit Lu, të strukturës që ai përfaqëson, dhe, sa më shumë të dije njeriu i hekurt nën atë pamje të qetë, aq me shumë përpiqen për largimin e shpejtë të tij.

Dërgohen artikuj nga Tirana në media të ndryshme amerikane, sponsorizohen figura politike për një deklaratë, thirren në ndihmë teoritë soroiste, ftohen figura të ndryshme politike për të dëshmuar se rruga e Donald Lu-së i bie ndesh interesave evropiane, dhe tani, si rrugë e fundit për të shpëtuar çka mund të shpëtohet, po përgatitet më zell të jashtëzakonshëm, një ngjarje, e cila bart gjithë shpresën e tyre, 18 shkurti.

18 shkurti, më shumë se sa një përpjekje për rrëzimin e qeverisë, që nuk mund ta bëjnë kurrë, është një përpjekje serioze, ndoshta më seriozja e deritashme, për të larguar ambasadorin amerikan, zotin Donald Lu, duke e paraqitur si njeriun e aferave pro qeveritare, si njeriu që merr të drejtën të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë, që ka klientelën e tij dhe kjo klientelë është në qeveri, që kërkon destabilizim dhe rrëmujë politike.

Deklaratat politike të prokurorit të përgjithshëm të Republikës, Llalla, ishte parathënia e 18 shkurtit. Zoti Llalla harroi se koha e tij në këtë post është më e gjatë se koha e zotit Lu si ambasador. Megjithatë, në të gjithë këtë hapësirë kohore, me gjithë bujën e shtatorëve, nuk u bë asgjë. Aferat më të mëdha u mbyllën pikërisht në kohën e tij. Çuditë më të mëdha juridike ndodhin pikërisht në këtë kohë. Në fund, duke dashur të verë vetulla, zoti Llalla, nxori një të vërtetë që, kur puna e prokurorit të përgjithshëm përzihet me politikën, atëherë askush nuk pret një të mirë prej saj.

Kufirin “tek thana” kërkoi të ia vendosë edhe zoti Meta, duke i treguar se “ky vend ka zot” dhe se, në emër të atdhedashurisë dhe mëvetësisë, Vettingun, nuk do e bëjnë të huajt, por do e bëjnë vetë shqiptarët. Tingëllon bukur në shqip, po të mos kishte një emër pas vetes zoti Lu, Shtetet e Bashkuara. Nëse do të ishte shkuar gjithnjë me këtë teori “mëvetësie”, a nuk do të tingëllonte naive sikur në vitet 1998 dhe 1999 Shqipëria, ku zoti Meta ishte zëvendëskryeministër dhe i angazhuar fuqishëm pro luftës në Kosovë, t’i thoshte Amerikës, “rri rehat, se luftën e bëjmë vetë”.

Opozita i ka ndezur të gjithë bateritë për largimin e zotit Lu dhe largimi i tij do të ishte, sipas tyre, shpëtimi i tyre.

18 shkurti pikërisht për këtë përgatitet.

Deklarimet e “zjarrta” të shefit juridik të shqupasve, Bashës, se do të rrëzojmë qeverinë, nuk i besoj as ai vetë. Ai po i fton njerëzit për një përmbysje, por duke mos ndodhur asgjë e tillë, më të zhgënjyerit, do të jenë vetë të thirrurit.

18 shkurti do të jetë prova më e hapur e ndeshjes mes një opozite të çoroditur, të frikësuar nga humbja dhe nga fati personal i familjes, me qëndrimet politike të një ambasadori të fuqishëm, me gjithë pamjen e butë, i cili, fatmirësisht, nuk ka sjellë në këtë treg të politikës, mendimet e tij vetjake.

Do të jetë njëra ndër përplasjet më të hidhura në historinë e tre dekadave të fundit.

Çuditërisht përballë njëra-tjetrës nuk do të jetë qeveria e së majtës me opozitarët e së djathtës.

Do të jenë përballë, megjithëse të maskuar nga njëra anë, të djeshmit që kishin në thirrjet e tyre të para ëndrrën amerikane dhe bartësit e ëndrrës.

Çudi! Si vjen koha!

Ndoshta kështu ka qenë gjithmonë, por shumë vetëve u është dashur kohë ta kuptojnë.

Do ta kenë edhe më të qartë pas 18 shkurtit.

Dramat e mëdha shpesh herë kanë një fillim ëndrre dhe një përfundim tragjik./Bedri Islami