Politika Shënjestra e radhës e PD: Kryebashkiaku i Matit, i dënuar për armëmbajtje...

Shënjestra e radhës e PD: Kryebashkiaku i Matit, i dënuar për armëmbajtje pa leje

Partia Demokratike denoncoi një tjetër kryetar bashkie që sipas saj ka shkelur ligjin e dekriminalizimit. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, deklaroi se selia blu i ka kërkuar Prokurorisë verifikimin e kryetarit të Bashkisë së Matit, Agron Malaj. Bardhi tha se Malaj është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje.

“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës kriminale së Edi Ramës së Matit. Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik. Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe sipas ligjit për dekriminalizimin i ndalohet kandidimi për jetë në një funksion publik. Ky është rasti i 5 pas Shkodrës, Vaut të Dejës, Vorës dhe Mallakastrës që konfirmon se Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin”, tha Bardhi.

Ai i kërkoi Prokurorisë dhe KQZ të veprojnë pa asnjë vonesë me administrimin zyrtar të vendimit të gjykatës së Matit dhe për heqjen e mandatit për kryetarin e Bashkisë së Matit, Agron Malaj.