Shërbimi Informativ i Shtetit njoftoi sot publikimin e faqes së tij të re në internet. Adresa e faqes është: www.shish.gov.al
Deklarata e SHISH:
“Qëllimi i kësaj faqeje të re është t’u ofrojë vizitorëve një mënyrë më të lehtë për të mësuar mbi SHISH-in, veprimtaritë dhe shërbimet e tij në dobi të ruajtjes së sigurisë kombëtare, për të qenë sa më të hapur me publikun dhe me mediat, si dhe për t’i lejuar vizitorit ta shfletojë informacionin mbështetur në zgjedhjen e tij, përmes një lundrimi më të lehtë. Përmbajtja e faqes do të përditësohet në mënyrë të rregullt me informacione të dobishme, me synimin për ta shndërruar në një burim të vlefshëm që jep ndihmesë në hedhjen dritë jo vetëm mbi punën tonë, por edhe mbi sfidat e sigurisë kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Faqja e re jep një mesazh të qartë se çfarë është SHISH-i, ku përqendrohet veprimtaria e tij, cilat janë vlerat dhe parimet e punës në mbledhjen, përpunimin dhe ofrimin e informacionit që ka lidhje me ruajtjen e sigurisë kombëtare.
Mes veçantive të faqes mund të përmendim:
RRETH NESH
Në këtë nën-menu do të gjeni informacion mbi SHISH-in sot, drejtuesit e tij, misionin, vizionin dhe vlerat mbi të cilat mbështetet puna e SHISH-it si dhe respektimi i privatësisë dhe të drejtave civile nga ana e tij.
KARRIERA
Këtu janë përmbledhur informacione mbi aplikimin, punësimin dhe trajnimin në SHISH
HISTORIKU
Në këtë rubrikë gjendet historia e Shërbimeve të fshehta Shqiptare nga 1912-a si dhe drejtuesit e Shërbimit Informativ ndër vite.
LAJME DHE INFORMACION
Mesazhe të Drejtorit, njoftime për shtyp apo njoftime punësimi krijojnë një dritare të re komunikimi me publikun.
MUZEU DHE LIBRARIA
Këtu gjenden informacione mbi mini-muzeun e SHISH-it dhe mbi qendrën e tij të trajnimit.
PROGRAMI I TRANSPARENCËS
Rubrika përmban kuadrin ligjor që rregullon kërkesat e përgjigjet lidhur me informacionin e klasifikuar, informacion mbi deklasifikimin e materialeve të ndryshme dhe kontaktet e koordinatorit për transparencën në SHISH.
Faqja ka dizajn të thjeshtë dhe intuitiv, është strukturuar me përmbajtje të organizuar në grupe, me një funksionalitet të përmirësuar të menusë, që të drejton menjëherë te informacioni i dëshiruar. Faqja përgjigjet plotësisht nga web-browser të ndryshëm dhe nga pajisjet e celularëve. Jemi vërtet krenarë për përmbajtjen e faqes sonë të re dhe sigurojmë vizitorët se do të gjejnë aty informacion të dobishëm”.