Aktualitet Shërbimi Informativ i Shtetit publikon raportin e parë publik

Shërbimi Informativ i Shtetit publikon raportin e parë publik

Shërbimi Informativ i Shtetit publikoi dhe shpërndau dje Raportin Publik 2018.

Raporti, që publikohet për herë të parë nga SHISH-i, i jep lexuesit një përmbledhje të shumë veprimtarive të rëndësishme që kryen ky institucion i sigurisë kombëtare. Raporti përfshin një varg të dhënash për strukturën dhe mënyrën e funksionimit të organizatës, duke i kushtuar një hapësirë të konsiderueshme transparencës.

Raporti Publik 2018 tregon larminë e aktiviteteve të SHISH-it, në respektim të ligjit, parimeve të punës, misionit dhe vizionit të tij. Me veprimtaritë në të gjitha fushat e përcaktuara nga ligji, SHISH-i ka demonstruar aftësinë për të gërshetuar perspektivat e sigurisë lokale, rajonale e më gjerë, me njohuritë e përvojat e tij, në bashkëpunim intensiv me partnerët strategjikë.

Në këtë mënyrë, SHISH-i përmbush ambicien për të përmirësuar cilësinë e produktit të tij, duke e vënë theksin te nevoja për një balancim sa më të drejtë mes respektimit të të drejtave të njeriut, përfshi të drejtën e publikut për t’u informuar, dhe kryerjes së detyrave që i ngarkon ligji, duke ruajtur parimin e fshehtësisë së metodave të punës.

Publikimi i Raportit Publik 2018 i shërben zbatimit të strategjisë së SHISH-it për të qenë i suksesshëm në përmbushjen e misionit. Pjesë e kësaj strategjie është një bashkëpunim më i ngushtë me publikun, të cilit i drejtohet ky Raport. SHISH-i është i bindur se ndryshimi është një proces afatgjatë, por përpjekjet për t’u hapur me publikun konsiderohen si një hap i parë në këtë rrugë.

Me rastin e publikimit të raportit të parë publik, Drejtori i SHISH-it, z. Helidon Bendo, përshëndeti angazhimin dhe rezultatet e komunitetit të inteligjencës në garantimin e sigurisë kombëtare dhe theksoi vendosmërinë e rritjes së transparencës ndaj publikut.

“Publikimi i Raportit të parë Publik ishte një sfidë, që SHISH-i e ndërmori me guxim dhe e përmbushi me sukses. Në çdo minutë të punës sonë, nuk është aspak e lehtë t’i qëndrojmë besnik parimit të njohur të shërbimeve më moderne të inteligjencës për të ruajtur çdo gjë që duhet dhe për të treguar aq sa është e nevojshme”, tha Drejtori Bendo.

Raporti Vjetor 2018 mund të shkarkohet i plotë në formatin PDF, në variantin shqip dhe anglisht, në faqen www.shish.gov.al.