Një 29-vjeçar ka humbur jetën pas një sherri mes disa personave në fshatin Sllatinë të Dibrës. Mësohet se konflikti ka ndodhur mes dy grupe vëllezërish.
Të katërt personat kanë qenë në lokalin e fshatit rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe kishin konsumuar alkool. Debati mes tyre nisi për motive banale dhe përfundoi duke përdorur thikë e sende të forta.
Policia thotë se 24-vjeçari me iniciale Q.P., që është vëllai i viktimës D.P. 29 vjeç, qëlloi me thikë 24-vjeçarin me iniciale M.H. duke e lënë të plagosur lehtë.
Më pas, ky i fundit në bashkëpunim me vëllain e tij rrahën me sende të forta 29-vjeçarin D.P. duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Si pasojë e plagëve, 29-vjeçari ndërroi jetë në spital.
Pas kësaj ngjarje, uniformat blu arrestuan vëllain e viktimës dhe dy vëllezërit e tjerë J.H. dhe M.H. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.