Aktualitet Sherr mes dy familjeve në Hamallaj, punonjësi i Gardës qëllon në ajër...

Sherr mes dy familjeve në Hamallaj, punonjësi i Gardës qëllon në ajër me armë zjarri

Gjashtë persona janë shoqëruar në polici pas një sherri me mjete të forta që ka ndodhur në Hamallaj të Durrësit këtë të diel.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Të përfshirë në konflikt janë anëtarë të dy familjeve të ndryshme.

“Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës”, njoftoi policia.

Gjatë sherrit, dyshohet se një punonjës i Gardës, i përfshirë në konflikt ka qëlluar me armë zjarri në ajër, por pa shkaktuar dëme në njerëz.

“Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person”, njoftoi policia.

Pas këtij njoftimi, zyra për shtyp e Ministrisë së Brendshme njoftoi se inspektori në fjalë është përjashtuar nga radhët e Gardës.

“Garda e Republikës është informuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës mbi përfshirjen e një efektivi të Gardës në një incident të dhunshëm, në Hamallaj, ku dyshohet se inspektori M.N., ka përdorur edhe armën e shërbimit. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm është bërë përjashtimi i menjëhershëm i këtij punonjësi, nga radhët e Gardës së Republikës”, thuhej në një njoftim.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.