Zbardhen detaje nga plagosja e dyfishtë në qytetin e Elbasanit pasditen e kësaj të premte.
Disa persona në ambientet e një lokali pranë Pallatit të Sportit u përfshinë në një konflikt fizik, ndërsa më pas u regjistruan edhe të shtëna me armë zjarri nga të cilat mbetën të plagosur tre persona, Fevzi Ago (pronari i barit) Astrit Cërriku dhe Mihal Kocashi.
Astrit Cërriku, paraqitet në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. Ai mendohet se ka marrë 6 plumba në këmbë dhe ka 11 plagë. Ndërsa për dy shtetasit e tjerë njëri është plagosur në këmbë dhe tjetri është goditur në syrin e majtë me qytën e pistoletës.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja nisi për çështje borxhesh. Të plagosurit mendohet se kishin marrë para borxh dhe dyshohet se një grup tjetër ka ardhur nga jashtë dhe ka gjuajtur mbi të plagosurit.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Rreth orës 17:20, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, në ambientet e një lokali në afërsi të Pallatit të Sportit, gjatë një konflikti verbal për motive të dobëta mes disa personave kanë mbetur të plagosur me armë zjarri dy shtetasit A.C. dhe M.K. Ata janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal.
Shtetasi F.A. është dëmtuar me sende të forta, jashtë rrezikut për jetën.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorëve.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punohet për kapjen e tyre.