Prokurori Bujar Sheshi deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, se nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.
Duke iu përgjigjur akuzave të PD, ai tha se e gjithë kjo është një sajesë për të goditur reformën në drejtësi.
“Kjo është sajesë e ulët. Synimi i sulmit është bllokimi i reformës në drejtësi dhe vettingut. Unë arrij në përfundimin se synohet që të pengohet reforma në drejtësi, të shfrytëzohet për të goditur vettingun, për ta paraqitur si të motivuar politikisht, por edhe roli i ndërkombëtareve, që ka mbështetur procesin.
Në rastin konkret, nuk synohet vetëm goditja ime si hakmarrje për çështjet që kam gjykuar, por mendoj se synohet goditja e të gjithë institucionit të KLP-së, pasi kemi ardhur në momentin e krijimit të SPAK-ut dhe prokurorit të Përgjithshëm. Pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara, jo vetëm në njërin krah, por edhe persona me pushtet.
Përballë kësaj situate do të kërkoja të gjithë përkrahjen tuaj për të zbardhur të vërtetën dhe zbardhur këtë skenar mafioz. Kërkoj reagimin tuaj për të mbrojtur KLP-në. E ndiej për detyrim që të shpreh qëndrimin tim se refuzoj kategorikisht çdo iniciativë dhe çdo vendimmarrje të institucioneve të shtetit, që unë kam qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”, shprehet prokurori Bujar Sheshi.