Bota Shifra rekord: 488 gazetarë të arrestuar gjatë 2021, Kina shteti me më...

Shifra rekord: 488 gazetarë të arrestuar gjatë 2021, Kina shteti me më shumë gazetarë të burgosur

488 gazetarë dhe punëtorë të mediave aktualisht janë të burgosur në shtete të ndryshme, thotë Organizata Reporterët pa Kufij (RSF) në raportin e saj vjetor.

Ky numër paraqet shifrën më të lartë të gazetarëve të arrestuar që nga koha kur kjo organizatë filloi të publikonte këtë raport vjetor, më shumë se 25 vjet më parë.

Numri i profesionistëve të mediave të arrestuar për shkak të punës së tyre u rrit për 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar për shkak të shtypjes së madhe të mediave në Mianmar, Bjellorusi dhe Hong Kong, thuhet në raportin vjetor për lirinë e mediave të publikuar më 16 dhjetor nga Reporterët pa Kufij.

Kina mbetet shteti me më së shumti gazetarë të burgosur për të pestin vit radhazi. Aktualisht janë 127 persona nëpër burgje kineze për shkak të rritjes së kontrollit të Pekinit ndaj Hong Kongut, shkruan në raport.

Mianmari është shteti i dytë me 53 gazetarë të burgosur, i pasuar nga Vietnami me 43.

Në Bjellorusi janë 32 gazetarë të burgosur dhe punëtorë të tjerë të mediave sikurse menaxherë, drejtorë, kontabilistë apo edhe avokatë, krahasuar me shtatë sa ishin vitin e shkuar.

Shumë më shumë gra sesa burra u arrestuan në Bjellorusi. Nga të arrestuarit, 17 janë gra, ndërkaq 15 janë burra. Organizata Reporterët pa Kufij thotë se kjo ndodhi për shkak të “përfundimit të tolerancës patriarkale të autoriteteve bjelloruse, të cilat u zunë në befasi nga roli i grave”.

Sipas organizatës, kurrë më parë nuk u regjistruan kaq shumë gazetare gra të burgosura kudo në botë me numrin total që arrin në 60.

Organizata raporton për 65 gazetarë dhe kolegë që mbahen peng gjithandej. Shumica prej tyre janë në Lindje të Mesme respektivisht Siri, Irak e Jemen përpos një gazetari francez që po mbahet në Mali.

Në anën tjetër, numri i punëtorëve të vrarë të mediave këtë vit, 46, është më i ulëti që nga koha kur organizata me seli në Paris filloi të publikonte raportet vjetore në vitin 1995.

Kjo shifër është rezultat kryesisht i “zbutjes së konflikteve” në Siri, Irak dhe Jemen, shkruan raporti.

Megjithatë, shtetet më të rrezikshme për gazetarët sërish mbesin Meksika dhe Afganistani, ku u shënuan shtatë vdekje.

Shumica e sulmeve ndaj gazetarëve në Afganistan u kryen nga grupe lokale militante të ndërlidhura me grupin militant Shteti Islamik apo vetë talebanët derisa kryesit e këtyre sulmeve vazhdojnë të jenë “krejtësisht të pandëshkuar”.