Sport Shifra të frikshme të mbretërve të golave: Askush si Messi dhe Suárez

Shifra të frikshme të mbretërve të golave: Askush si Messi dhe Suárez

Dyshja sulmuese, e formuar nga Leo Messi dhe Luis Suárez, vazhdon të shkëlqejë te Barcelona. Në sezonin e pestë radhazi, si argjentinasi, ashtu edhe uruguaiani, kanë treguar një harmoni të madhe dhe efektivitet të lartë.

Ndërmjet tyre, ata kanë shënuar 66 gola dhe kanë dhënë 32 asiste. Me fjalë të tjera, kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në 98 nga 121 golat e shënuar nga ekipi i Ernesto Valverde në sezonin 2018-2019. Pothuajse në 81% të golave. Diçka spektakolare.

Messi, si gjithmonë, është më vendimtar, me 43 gola dhe 21 asiste. Kapiteni azulgrana ka 10 sezone, që e tejkalon kuotën e 40 golave. Suárez, nga ana tjetër, ruan një rregullsi të madhe në këtë drejtim, që nga sezoni 2014-2015, kur startoi në “Camp Nou”.

Që atëherë, ai ka realizuar 25, 59, 37 dhe 31 gola për sezon. Në këto momente ka në llogari 23 gola, vetëm dy më pak se kuota më e ulët sezonale, por me të paktën 10 ndeshje për t’u luajtur, që mund të jenë 13, nëse ekipi katalanas arrin në finalen e Ligës së Kampionëve, më 1 qershor, uruguajani ka gjasat ta rrisë finalizimin.

Me shifra të tilla, tifozët e Barçës kanë të drejtë të flasin për “messidependencia” dhe madje për “suarezdependencia”. Varësinë e Barcelonës nga Messi e ka pranuar tashmë edhe trajneri Valverde. Argjentinasi po i thyen të gjitha rekordet.

Pa rivalë

Shifrat e dy sulmuesve të Barcelonës janë shumë larg atyre që kanë duete të skuadrave të tjera, qofshin edhe të tillë si Mbappé-Cavani te PSG. Kampionët francezë, të cilët presin të zyrtarizojnë titullin e gjashtë në shtatë vite, në Ligue 1, mbërrijnë deri në kuotën 44 gola (27+17). Dallimi me çiftin e Barçës është 22 gola…

Referuar tetë skuadrave më të mira të kontinentit të vjetër, atyre që janë kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, kjo diferencë është më e madhe. Dyshes Messi-Suarez nuk i afrohet as ajo Salah-Mane (Liverpool), me 35 gola në këtë sezon (17+18). Pra, ata kanë shënuar 31 gola më pak yjet e skuadrës katalanase.

Çiftet e Ajax dhe Manchester City, Tadic-Ziyech dhe Aguero-Sterling, respektivisht, të dy me nga 34 gola në këtë moment, kanë shënuar pothuajse sa gjysma e “9” dhe “10” së ekipit katalanas. Më poshtë është dueti i Tottenham, Kane-Son, me 29 gola. Edhe Ronaldo-Mandzukic (Juventus) me 27 gola janë shumë larg tyre, ashtu si Lukaku-Pogba të Manchester United me 23 gola, apo Soares-Brahimi të Portos me 21 gola.