Sipas përllogaritjeve, bazuar në të dhënat e INSTAT për prodhimin dhe doganave për importin dhe eksportin, konsumi i patates në vitin 2016 në vendin tonë ishte 255 mijë tonë apo 91.3 kg për person, shifër kjo ndër më të lartat në botë.
Nga të dhënat e mbledhura nga FAO, konsumi mesatar botëror i patates është 32.6 kg për person, ndërsa mesatarja europiane është 71.9 kg për frymë.
Ne konsumojmë disa herë më shumë edhe se vendet e rajonit.
Konsumi mesatar për frymë në Serbi ishte në nivelin e 39.6 kg për frymë, në Malin e Zi 47.5 kg dhe në Maqedoni 57.5 kg, nën mesataren europiane të konsumit.
Konsumi është më i lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku sipas të dhënave në një vit konsumohet mesatarisht 75 kg patate për person.
Patatja u bë ushqimi i preferuar i europianeve vetëm pas viteve 1800 dhe sot është një prej ushqimeve më të përhapura dhe më të përdorura.
Në vendet si Belgjika, Rusia dhe Lituania, konsumi i patates për frymë në një vit i kalon 100 kilogramët.
Sipas të dhënave të faqes OurWorldinData, krahasuar me vendet e rajonit, toka bujqësore shqiptare ka rendimentin më të lartë të prodhimit të patates. Nga të dhënat e mbledhura nga FAO, një hektar tokë në Shqipëri prodhon rreth 25 tonë patate.
Toka shqiptare ka rendiment më të lartë edhe se toka maqedonase dhe malazeze, që prodhojnë në një hektar 14 tonë patate. Rendimenti i tokës në Serbi është 11 tonë për një hektar, ndërsa në Bosnjë 9 tonë për hektarë. (Të dhënat për Kosovën mungojnë).
Në Maqedoni, sipas të dhënave të Eurostat, u prodhuan në vitin 190 mijë ton patate, në Serbi 639 mijë ton dhe në Mal të Zi vetëm 27 mijë ton.
Në Europë, prodhuesi më i madh i patates është Gjermania, me 10.4 milionë tonë në vit, e ndjekur nga Franca me 7 milionë tonë, po sipas Eurostat.
Ecuria e tregtisë
Megjithatë, edhe pse me një tokë bujqësore që ka rendiment të lartë, importet e patates kanë shënuar rritje në të dytin vit radhazi me gati 30%.
Ndërsa për sa u përket eksporteve, në pesë vitet e fundit, nivelin më të lartë në 2013-n ku sasia e eksportuar ishte 1504 tonë. Në 2016-n, nga të dhënat e Doganës, sasia e eksporteve ishte 844 tonë, 1.7 herë më pak – raporton Monitor.