Vetëvrasjet dhe tentativat për vetëvrasje, janë kthyer në një fenomenin shqetësues për shoqërinë shqiptare.
Shifrat dhe statistikat janë alarmante!
Nga të dhënat e vetëvrasjeve që janë pritur për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në vitin 2015 në Institutin e Mjekësisë Ligjore është kryer autopsia e 101 trupave të vetëvrarë, ndërsa në vitin 2016 autopsia e 89 trupave.
Sipas përllogaritjeve çdo javë ky institucion, analizon dhe kryen autopsinë e dy trupave të vetëvrarë.
Nga viti 2010, vetëvrasjet janë rritur me 25 për qind. Viti 2013, që ishte dhe vit zgjedhor, kulmon me 110 raste. Sipas shifrave meshkujt rezultojnë më të prekur se femrat nga ky fenomen.
Por situata bëhet edhe më alarmante nëse do t’ju referohemi tentativave për vetëvrasje.
Sipas shifrave zyrtare që ofron shërbimi i toksikologjisë klinike, brenda një viti urgjenca e QSUT “Nënë Tereza” pret rreth 1000 raste të personave që kanë testuar t’i japin fund jetës.
Ose e thënë ndryshe çdo ditë tre persona mendojnë t’i japin fund jetës. – “Këto janë raste që vijnë tek ne. Por sigurisht këtu tek ne nuk është i gjithë spektri i tentativave për vetëvrasje. Mund të themi që ne jemi një pjesëz që trajtojmë pikërisht këta persona” thotë toksikologu, Alert Drishti.
Mjeti më i përdorur për t’i dhënë fund jetës janë helmimet me medikamente, pesticide, droga, që pasohen nga varjet dhe hedhjet nga lartësia. Sipas toksikologut Alert Drishti, mbidozimi medikamentoz mbizotëron në 90 për qind të rasteve. “Përgjithësisht këta pacientë që kanë ardhur në klinikën tonë kanë mbetur në tentativë.” .
Shkaqet? – “Kryesisht është ai i faktorit ekonomik, por kemi edhe mosmarrëveshjet në familje, në çift të cilat janë pjesë dërmuese e pacientëve” thotë mjeku Drishti.
Sipas statistikave përgjithësisht pas çdo tentative vetëvrasjeje fshihet depresioni, por vetëm një pjesë e vogël përfundojnë për trajtim në spitalin psikiatrik. – “Shumica dërmuese e atyre pacientëve që ne trajtojmë, kanë marrë vendime të momentit. Ka edhe nga ata që e kanë mendimin të shtrirë në kohë. Por vetëm një pjesë e vogël e tyre transferohen në psikiatri,” – thotë mjeku Andi Shkurti psikolog.
Sipas shifrave, ashtu si viti i frikshëm 2013, duket se po ndjek edhe ky vit, po zgjedhor. Deri në muajin mars 24 persona janë vetëvrarë.