Politika Gjata: KQZ nuk e shtyn dot datën e regjistrimit të koalicioneve, antiligjore

Gjata: KQZ nuk e shtyn dot datën e regjistrimit të koalicioneve, antiligjore

Juristi i njohur, në një intervistë për Politiko shpjegon se pse nuk mund të shtyhet data e regjistrimit të koalicioneve nga KQZ. Ky institucion nuk mund të marrë kompetencat e Parlamentit, thotë Gjata. Veç kësaj, nëse shtyhet kjo datë, pse të mos shtyhet edhe ajo e zgjedhjeve?

Pyetje: PS dhe LSI kanë dorëzuar një kërkesë në KQZ për shtyrjen e datës së regjistrimit të koalicioneve, afati i të cilëve ishte sot. (Pritshmëria është që ta pranojë KQZ pasi nuk ka çfarë të regjistrojë). Si e komentoni ligjërisht një kërkesë e tillë dhe çfarë pasojash sjell?

Kërkesa nuk ka bazë ligjore. Por, më e rëndësishme se kërkesa është përgjigja që do kthejë KQZ. Neni 65, pika 1 e Kodit Zgjedhor, ka përcaktuar si afat të fundit, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Kjo dispozitë është taksative, urdhëruese, që do të thotë se nuk lejon për asnjë arsye të kalohet afati 60 ditor. Nëse KQZ shkel këtë afat duke pranuar kërkesën për shtyrje, do të shkelte rëndë ligjin dhe do të merrte prerogativat e parlamentit, pasi do të ishte KQZ ajo që do të bënte ligj, dhe jo parlamenti. E thënë shkurt, nëse kërkesa pranohet, kjo do të shërbente si precedent i keq dhe atëherë KQZ mund të ndryshojë çdo pikë të Kodit Zgjedhor. Kështu, ajo do të humbiste besimin dhe do të shtonte edhe një konflikt më shumë në krizën e rëndë politike që po shoqëron këto zgjedhje.

Pyetje: A është një element që sjell domosdoshmërisht shtyrje të datës së zgjedhjeve për një datë tjetër nga ajo e dekretuara?

Data e zgjedhjeve shtyhet me një kompromis të madh politik. Nuk shtyhet duke shkelur dispozita ligjore apo nëpërmjet një deus ex machina- zgjidhjeve mekanike, pasi këto nuk shkojnë larg. Por, logjikisht, nëse dy partitë e mazhorancës qeverisëse kërkojnë të shtyhet afati ligjor i regjistrimit të koalicioneve, në kundërshtim me ligjin dhe pa asnjë shkak madhor, atëherë përse të mos shtyhet edhe data e zgjedhjeve me shkakun madhor që paraqet opozita, atë të manipulimit të zgjedhjeve nga krimi i organizuar?! Ndërsa ligjërisht, pra që të jemi në rregull me procedurat ligjore, vetëm po u shty data e zgjedhjeve mund të shtyhet edhe data e regjistrimit të koalicioneve, pasi afati fundor 60 ditë do të llogaritet me datën e re të zgjedhjeve.

Pyetje: A jane legjitime zgjedhjet e 18 qershorit?

Nga pikëpamja formale ligjore, zgjedhjet e 18 qershorit janë legjitime sepse Presidenti ka caktuar datën e tyre. Por, këtu nuk kemi të bëjmë me një krizë juridike, me një mungesë normash ligjore dhe nuk dimë si ta zgjidhim juridikisht. Kriza është politike, dhe e rëndë madje. Problemi qëndron te ajo se zgjidhjet tekniko-ligjore janë tepër të dobëta dhe paafta për të përballuar këtë krizë politike. Ndaj, e vetmja zgjidhje është kompromisi politik për kthimin e kredibilitetit dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor. Formalisht, Kryeministri mund të shkojë vetëm në zgjedhje, por do marrë 99% të votave me vetëm 25% pjesëmarrje të zgjedhësve në votime. E çfarë institucionesh politike e demokratike do të dalin nga këto zgjedhje për të drejtuar vendin?! Kjo do t’i ngjante epokës së para `90.

Pyetje: A mund të shkelet Kushtetuta nga shtyrja e zgjedhjeve dhe emërimi i një qeverie teknike?

Nuk mendoj se ka shkelje të Kushtetutës për këtë. Neni 65 i Kushtetutës thotë në çdo rast Parlamenti qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Parlamentit të zgjedhur. D.m.th. kur thuhet ‘në çdo rast’, për gjithshka që mund të ndodhë, nuk ka vakum pushteti sepse parlamenti është në detyrë edhe tej afatit të mbarimit të mandatit. Pra, edhe kur është rasti i qeverisë teknike dhe shtyrja e datës së zgjedhjeve, parlamenti do të qëndrojë në detyrë  edhe tej afatit të mbarimit të mandatit derisa të mblidhet parlamenti i ri i zgjedhur. Prandaj, nuk ka pengesë kushtetuese, kështu që asgjë nuk e pengon kompromisin në favor të zgjedhjeve të lira e të ndershme përpos vullnetit.