Nga Bilishti gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 Prillit, kryesocialisti Edi Rama është shprehur i bindur se Shqipëria do të fitojë luftën me pandeminë e Covid-19.
Sipas tij, Shqipëria është njëra nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor që po avancon me ritme të shpejtë në procesin e vaksinimit.
“Kemi filluar një ofensivë për ta nxjerrë jashtë nga vendi ynë armikun e padukshëm duke garantuar procesin e vaksinimit masiv, që në këtë rajonin tonë të lënë jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave nga BE nuk ishte diçka e lehtë. Jemi njëri nga dy vendet në këtë komunitet prej 6 shtetesh që bëjmë vaksinim masiv. Po garantojmë mbrojtjen e jetës së gjysheve dhe gjyshërve të të gjithëve pa dallim dhe pa dashur t’ia dimë se me kë janë e për kë votojnë. Por vaksinimi masiv duhet garantuar nga distancimi i përgjegjshëm. Nuk mundet të krijojmë vatra infektimi për vota, për shfaqje elektorale që siç ka treguar eksperienca e hidhur e Kosovës, e Malit të Zi etj. Shikojini numrat e infektimeve në Kosovë”.
Kryeministri Rama ka folur edhe për takimet elektorale të opozitës, duke bërë thirrje që të shmangen grumbullimet e qytetarëve. Rama është shprehur se përpara se të jenë politikanë, duhet të jenë njerëz të përgjegjshëm.
“Shikojini numrat e infektimeve në Malin e Zi, sot ka hyrë në një spirale të dhimbshme nga marshimet dhe tubimet elektorale ku humbën jetën disa nga organizatorët. E kujt i duhet kjo? Përse? Nuk e bëkemi dot ne një fushatë dinjitoze si njerëz të përgjegjshëm? Në radhë të parë jemi njerëz pastaj politikanë. Si u bëkemi ne lolo duke sfiduar një armik të padukshëm që nuk do t’ia dijë fare për trimëri se kudo ku gjen shesh gjen një përshesh. Siç është e rëndë që ne kemi përballë një opozitë që sapo ndodh diçka shumë e madhe ose e vogël bëhet me të keqen kundër zgjidhjes jo kundër nesh. Ndodh një përmbytje, bëhen me përmbytjen, ndodh një tërmet bëhen me tërmetin, ndodh një virus bëhen me virusin, duke treguar gënjeshtrat për rrezikun e vaksinave. Vaksinat nuk janë ilaçe çudibërëse kundër të gjitha gjërave. Apeli im për të gjithë pavarësisht bindjeve politike është shëndeti mbi të gjitha dhe të sillemi si një komb serioz, si një bashkësi njerëzish që nuk bëhen qesharak, të jemi të bashkuar në këtë drejtim. Kur ndodh një fatkeqësi, njerëzit bashkohen nuk ndahen, popujt serioz bashkohen nuk ndahen edhe nëse kanë mes tyre politikanë sharlatanë. Ne duhet të jemi të bashkuar sepse duhet dhe do ta fitojmë me patjetër këtë luftë. Vaksinimi masiv është një proces që nuk do të ndalet. Fushata elektorale vjen pas kësaj. Ne e respektojmë këtë moment të rëndësishëm të demokracisë. Për ato që s’kemi bërë ka arsye, por ka dhe diçka për të thënë që ne nuk jemi të rënë nga qielli. Ne jemi shumë të qartë se ku duam të shkojmë dhe e dimë shumë mirë se si shkohet aty për të ardhmen Shqipërinë tonë”, është shprehur Edi Rama.