Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka arrestuar një punonjës policie, banues në Laç, i cili dyshohet se shiste në Shqipëri sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani.
I arrestuari është 32-vjeçari me inicialet E.I., me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë. Ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal. Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë. Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.
Ekspertë të Policisë së Hamburgut ishin në Tiranë si pjesë e kryerjes së veprimeve operacionale në terren, së bashku me SHÇBA dhe drejtuesit e Prokurorisë në Laç.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje kuzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje.
Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.